Loading…

“NATO për t’i dhënë fund frikës”

  • 15/08/2018 | 22:37

“NATO për t’i dhënë fund frikës”

Vendosi jelekun antiplumb dhe helmetën për të qenë pjesë e demonstrimit të stërvitjeve që po i bënë ushtria amerikane në poligonin ushtarak Krivollak. Me këtë rast ministrja e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska theksoi se Maqedonia nuk anëtarësohet në NATO-s vetëm për t’i përdorë përfitimet e anëtarësimit, por është një shtet që ka diçka për të ofruar dhe sipas saj, poligoni ushtarak “Krivolak” është një shembull konkret.


Duke iu referuar efektit që do të kishte ndryshimi eventual i kufijve të vendeve fqinje, ajo tha se Maqedonia ka paguar shtrenjtë për konfliktet dhe luftërat e shumta në vendet fqinje.

“Dihet në vitet e 90 sa shtrenjtë paguam, si u reflektua në sigurinë tonë, ekonominë dhe jetën tonë. Anëtarësimi në NATO e shohim si rast për t’i dhënë fund frikës nga ndodhitë e tilla. Ne presim, duam dhe punojmë që i gjithë rajoni dhe i gjithë Ballkani të jetë një vend më stabil dhe me prosperitet”, tha Radmilla Sheqerinska – Ministre e mbrojtjes.

Zëvendësambasadorja e SHBA-ve në Maqedoni, Mikaella Shvajcer Bllum theksoi se mekanizmat si NATO garantojnë siguri për vendet anëtare dhe rajonin në përgjithësi. Ajo siguroi se Maqedonia ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve për anëtarësim në NATO dhe se Maqedonia do të jetë anëtarja e ardhshme e aleancës veri-atlantike.

“Ne besojmë se mekanizmat si NATO që është një aleancë e ndërsjellë për siguri, ofron mundësinë më të mirë për vendet e këtij rajoni të garantojnë këtë siguri dhe stabilitet për në të ardhmen. Stabiliteti sjell prosperitet dhe kemi parë që vendet anëtare të NATO-s, kur anëtarësohen kanë rritje në investime dhe ekonomi. Ka zhvillim. Stabiliteti sjell zhvillim. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë në këtë rrugë dhe jemi të sigurt që Maqedonia do të jetë anëtarja e radhës e NATO-s”, u shpreh Mikaella Shvajcer Bllum – Zëvendësambasadore e SHBA-ve.

Në Maqedoni, shkruan Tv21.tv Komandanti i forcave ushtarake amerikane të KFOR-it, Nik Duciq theksoi se afërsia e poligonit ushtarak me Kosovën u ka mundësuar atyre që t’i zhvillojnë ushtrimet pa pasur ngecje në aktivitetet e misionit në Kosovë. “Krivollaku është shumë i rëndësishëm, sepse jo vetëm që kemi qenë në mundësi që të ushtrojmë këtu dhe të dëshmojmë përgatitjen tonë, por kemi pasur këtu ushtar në dy javët e kaluara përderisa ende po vazhdojmë që të ekzekutojmë misionin tonë në Kosovë”, tha Nick Duciq – Komantand i Forcave Ushtarake të KFOR-it.

Ushtarët Amerikan, pjesë e KFOR-it në Kosovë, që po qëndrojnë në Krivollak nga 1 deri më 20 gusht, po bëjnë stërvitje të forcave tokësore. Ndryshe, vitin e ardhshëm në Krivollak do të zhvillohet një stërvitje shumë më e madhe e ushtrisë amerikane, në të cilën do të marrin pjesë rreth 1 000 ushtarë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë