Loading…

NATO: Ka rritje alarmante të influencës ruse në Ballkan

  • 15/12/2016 | 16:18

NATO: Ka rritje alarmante të influencës ruse në Ballkan

NATO  është e gatshme të ndërhyjë në mënyrë operative kur kjo të jetë e nevojshme në mënyrë që të parandalojë konfliktin ndëretnik dhe të promovoj sigurinë dhe stabilitetin. Kështu nis dokumenti sekret i NATO’së i cili analizon situatën në Ballkanin Perëndimor dhe i cili është miratuar nga Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj aleance, shkruan e përditshmja kroate ‘Vecernji List”, burimet e së cilës i referohen selisë së NATO’së në Bruksel.

Në dokument përshkruhen në detaje dy lloj kërcënime me të cilat ballafaqohen shtetet në Evropën Juglindore: sjelljen destabilizuese të Rusisë dhe ekstremizmin dhe radikalizmin islamik në rritje, duke i pasur edhe pasojat e kthimit të luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku, transmeton gazetametro.net.

Në dokument theksohet se janë rreth 260 ushtarë të huaj të cilët nga Bosnje Hercegovina kanë shkuar  për të luftuar në krah të organizatave terroriste ISIL dhe Al-Kaeda në Irak dhe Siri.

Radikalizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe kthimi i luftëtarëve të huaj nga fronti, detektohen si shkak i rëndësishëm për tu shqetësuar NATO, në pjesën kur dokumenti flet për Bosnje Hercegovinën por theksohet se problem nuk është vetëm Bosnje Hercegovina dhe Ballkani Perëndimor, por që shtetet e rajonit së bashku me pjesën tjetër të Evropës po ballafaqohen  me ekstremizmin në rritje, radikalizmin dhe kthimin e luftëtarë të huaj.

Kur është fjala për shqetësimin e dytë të shteteve anëtare të NATO’së mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, në këtë dokument sekret theksohet se veprimi i Rusisë më së shpeshti është i drejtuar ndaj popullsisë serbe në rajon. Ndër serbë, mesazhet ruse kanë jehonë më të madhe dhe NATO identifikon ‘rritje të aktivitetit rus në Ballkanin Perëndimor’, i cili përfshinë edhe sjelljen destabilizuese.

“Fjala është për mesazhet e përziera politike, ndërtimin e lidhjeve me elitën, investimet në energjetikë dhe media,” thekson dokumenti duke konstatuar: “Rusia ofron mbështetje politike dhe ekonomike për etninë serbe në Bosnje Hercegovinë, në mënyrë që të nxis pengesën e rrugës euroatlantike të Bosnjës,” ku në këtë kontekst veçon Presidentin i Republikës serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, transmeton gazetametro.net.

Në konkluzionet e dokumentit theksohet se NATO i jep mbështetje të plotë rrugës euroatlantike të Maqedonisë  dhe Bosnjës dhe mbështetë fuqishëm dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Këtë dialog të cilin Beogradi dhe Prishtina e zhvillojnë me ndihmën e Bashkimit Evropian (BE), ka kontribut pozitiv për stabilitetin në rajon, përfundon dokumenti i NATO’së duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, është i lidhur me stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në pjesën e dokumentit ku flitet për Serbinë, theksohet se mbështetja e serbëve për këtë Aleancë është shumë e ulët, gjë që është pasojë e bombardimeve të NATO’së ndaj Serbisë, nga fundi i sundimit të Sllobodan Millosheviçit. Por, NATO thekson se duhet nxitur bashkëpunimin si kurrë më parë më Serbinë.

Vizita e para pak kohëve e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në selinë e NATO’së përmendet si shembull me të cilin duhet të ndërtojmë zhvillimin e marrëdhënieve. NATO nuk ka dyshim se të gjithë duhet të kontribuojnë dhe mbështesin përmirësimin e marrëdhënieve rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Ky dokument është hartuar në fillim të këtij muaji në kuadër të zbatimin të konkluzioneve të Samitit të NATO’së në Varshavë, në muajin korrik, e formulimet në këtë dokument janë harmonizuar nga të gjitha 28 shtetet anëtare. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]ametro.net
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë