Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ku ka treguar se kanë diskutuar edhe për dialogun me Serbinë.
Sipas Mustafës, LDK konsideron se dialogu duhet të vazhdojë për interesat e dy vendeve, mirëpo ka potencuar se ai duhet të përfundojë me njohje reciproke, shkruan gazetametro.net.
“Ne mendojmë se dialogu në mes të Kosovës dhe serbisë duhet të zhvillohet për interesat e dy vendeve. Ne konsiderojmë se duhet të ketë dialog të përfaqësuar si dy shtete, jo në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ne konsiderojmë se dialogu duhet të ketë përfundim njohjen reciproke”, ka thënë Mustafa pas mbledhjes.
Mustafa ka potencuar se LDK e vlerëson lartë involvimin e BE’së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e vlerësojmë rolin e BE dhe Amerikës në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Por, kërkojmë që të involvohen si garantues të implementimin e marrëveshjeve”, ka shtuar Mustafa.
Mirëpo, në fund Mustafa potencoi se LDK’ja nuk e përkrah një ndryshim të territoreve, duke iu referuar zërave për shndërrim të kufirit.
“Ne besojmë se ndryshimi I kufirit nuk vjen fare në shprehje si marrëveshje përfundimtare, e gjithashtu vlerësojmë se krijimi i një pushteti të tretë(Asociacioni), nuk do të vinte fare në shprehje”, ka thënë kreu i LDK’së, duke mos e përmendur ‘korrigjimin e kufirit’, që është ide e presidentit Thaçi.
Ndërkohë, Mustafa iu përgjigj gazetarëve për atë se nëse ka ndonjë presion për LDK’në që të përfshihet në ekipin e unitetit për zgjidhjen përfundimtare mes dy vendeve.
Ndryshe, Isa Mustafa kërkoi që Qeveria të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet, duke thënë se pozita nuk ka fuqi./gazetametro.net