Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar duke thënë se ata që trumbetonin se po humbim mbi 8 mijë hektarë, sot po dalin kundër matjes së territorit.
Sipas tij Kosova i ka kufijt e trashëguar dhe se tash po sfidohen të ashtuquajturit “ekspertë të gënjeshtrave” me inciativën për matje të territorit të Kosovës.
Reagimi i tij i plotë në Facebook.
Qytetarë të nderuar,
Ata që trumbetonin dhe gati e dogjën Kosovën se po humbim mbi 8 mijë hektarë nga shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, sot po dalin kundër matjes së territorit, sepse sipas tyre Kosova nuk ka kufij. Shtrohet pyetja se si e matën ata Kosovën (pa kufij) për të akuzuar se po humb territor, nëse kjo matje nuk qenka e mundur të bëhet.
Kosova i ka kufijtë e trashëguar, prandaj të ashtuquajturit ekspertë të gënjeshtrave dhe zëdhënës të kauzës së rrejshme politike janë sfiduar dhe kanë ardhur ngushtë me iniciativën për matjen e territorit të Kosovës. Këta po ia bëjnë një dëm të madh sovranitetit shtetëror të Kosovës.