Lëvizja FOL i ka dhënë çmimin për Guxim Qytetar për Murat Mehmetin, inspektor hetues në Administratën Tatimore të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Petrit Zogaj, nga Lëvizja FOL ka thënë se këtë çmim, FOL e ndanë për herë të shtatë, në shenjë vlerësimi për personalitetet më të angazhuara në mbrojtjen e interesit publik.
‘z. Mehmeti përfaqëson shembullin më të mirë të njeriut guximtar. Ai me denoncimin e tij, nuk i mbylli sytë karshi krimit që po ndodhte në Administratën Tatimore të Kosovës. Përkundër shantazheve e kërcënimeve ai nuk u ndal deri në respektimin e ligjit. Andaj, Murat Mehmeti u bë edhe model guximi për të gjithë qytetarët, të cilët nga frika e kërcënimeve vendosin t’i mbyllin sytë po edhe mos të flasin ndaj keqpërdorimeve në institucionet e Kosovës’, ka thënë Zogaj.
Po ashtu, Valdete Idrizi, anëtare e Bordit këshillëdhënës të Lëvizjes FOL, ka shtuar se çmimi për Mehmetin është dhënë me unanimitet.
Ndërkaq, Murat Mehmeti, fitues i këtij çmimi, ka theksuar se ndihet i lumtur për këtë çmim.
‘Nuk jam i vetmi që përjeton këso lloj presionesh për të heshtur, por i inkurajoj të gjithë punonjësit që të flasin dhe të mos dorëzohen para presioneve në mënyrë që të luftojmë keqpërdorimet dhe parregullsitë’, ka thënë fituesi i çmimit për Guxim Qytetar./gazetametro.net