Ish-sulmuesi i famshëm, Didier Drogba, ka zbuluar detaje mjaft interesante në lidhur me një kalim të mundshëm të tij te Juventus. I ftuar në një event të mbajtur në Sorrento të Italisë ai ka treguar se kishte pasur mundësi të mbyllin karrierën e tij te ‘Zonja e Vjetër’, transmeton Gazeta Metro.
Një ndër sulmuesit më të mirë në histori të futbollit është pa dyshim edhe Didier Drogba, ai do të mbahet mend gjatë për golat e tij në Premier League me Chelsean, ku jo rrallë herë mbrojtësit kundërshtarë e kishin konsideruar edhe si futbollistin më të vështirë me të cilin janë përballur.
Por, edhe pse asnjëherë nuk luajti në Serie A 44-vjeçari ka deklaruar së fundmi se është bërë pishman që nuk e ka pranuar Juventusin, ndërsa ka ngacmuar edhe gazetarët italianë duke thënë se do të shënonte edhe në Itali gola.
”Mund ta kisha mbyllur karrierën time te Juventusi. Ishim shumë pranë, por në fund nuk funksionoi dhe as vetë nuk e kuptoj ende sot e kësaj dite arsyen. Gjithsesi, njësoj kishin dështuar edhe negociatat me Inter më herët. Tani që mendoj, do të më kishte pëlqyer dhe jam bërë pishman që nuk e kam pranuar Juventusin apo ndonjë klub tjetër italian. Duhet ta kisha testuar veten time edhe në Serie A, ndonëse ndonjë gol aty te ju do ta kisha shënuar besoj,” tha ai.
Drogba pothuajse në të gjithë karrierën ka luajtur te Chelsea, por ka qenë edhe pjesë e ekipeve si Marseille, Guningamp, Galatasaray, Phoenix Rising, Shanghai Shenhua, Montreal Impact. Ai ka realizuar 297 gola në 679 ndeshje në të gjitha garat me këto skuadra. /gazetametro.net