Ministri i Bujqësisë në detyrë, Armend Muja, ka folur për zhvillimet e fundit në qumështoren “Vita”, ndërsa në disa raste ishte kundërthënës me veten. Po ashtu, insistimi i ministrit për ta paraqitur qumështoren “Vita” si operator të papërgjegjshëm dhe përdoruese të vajit të palmës në mënyrë të pakontrolluar ishte i habitshëm, ani pse ende nuk kanë dalë analizat e fundit nga Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës AUV-i.
Gjatë një paraqitjeje në “T7”, ministri në detyrë vazhdimisht insistonte se qumështorja “Vita” përdor vaj palme dhe, siç tha ai, “të gjitha”, mirëpo nuk e specifikonte se për cilat produkte bëhej fjalë, pasi dihet se fabrika e “Vitës” nuk prodhon vetëm qumësht, por edhe shumë produkte të tjera të qumështit.
Ani pse moderatori insistonte me pyetjen nëse ka vaj palme dhe qumësht pluhur në qumështin “Vita”, Muja fillimisht ishte i rezervuar, pasi tha se ende nuk ka një raport të kompletuar nga AUV-i, përfshirë edhe analizat nga mostrat e marra së fundi.
Kjo, ndonëse rezultatet e analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) të muajit maj tregojnë se produktet e “Vita”-s janë 100 për qind qumësht dhe nuk përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme.
“Në prill unë i kam kërkuar që deri më 27 korrik të më paraqitet një raport i kompletuar nga AUV-i, përfshirë të gjitha mostrat në kufi dhe në tregun e brendshëm. Unë nuk kam marrë asnjëherë një raport të kompletuar, të cilin ende po e pres. Ai po ashtu do t’i paraqitet edhe shoqërisë dhe, mbi bazën e tij, do të merren vendimet pasuese në politikat tona në raport me sektorin e qumështit”, u deklarua fillimisht Muja.
Por tendenca e ministrit Muja për të hedhur mjegull mbi qumështoren “Vita” vazhdoi gjatë emisionit, duke përgjithësuar pretendimet për përdorimin e vajit të palmës dhe pa specifikuar se në cilat produkte, sipas tij, pretendohej se përdorej nga fabrika në fjalë.
“Konkluzionet përfundimtare do t’i japë AUV-i, por përderisa nuk publikohet një raport përfundimtar, përfshirë edhe analizat, më lejoni t’ju them pa asnjë fije dyshimi që qumështorja ‘Vita’ prodhon produkte me vaj palme dhe nuk i ka të gjitha produktet e pasura 100 për qind me qumësht. Pretendimi ndryshe është i gabuar. Qumështorja ‘Vita’, në bazë të raportit, prodhon edhe produkte shtazore dhe me vaj palme. Ky është konstatimi fillestar i inspektimit dhe analizat do ta konfirmojnë, po supozoj, pikërisht këtë”, u deklarua tutje Muja.
Muja vazhdonte të filiste me supozime dhe konstatime ende pa i parë analizat laboratorike nga mostrat e mara.
“Konstatimi i parë i inspektoratit është se në qumështoren ‘Vita’, në objektin e kontrollit, janë konstatuar produkte me vaj palme”, deklaroi Muja.