Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, që u publikua në javën e kaluar tregoi zhvillimet dhe mangësitë e Kosovës gjatë këtij viti, ndërsa sot u organizua një tryezë e veçantë për të biseduar rreth Marrëveshjes për Stabilizim Asocim.
“Sfidat e Refomave të Sundimit të Ligjit në kuadër të MSA-së dhe Agjendës së Reformave Evropiane”, ishte temë e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.
Ambasadorja e Holandës për Kosovë, Gerrie Willems tha se Marrëveshja Stabilizim Asociim përmban të drejta dhe obligimet për Kosovë, për tu adaptuar me standardet e Bashkimit Evorpian dhe për të rritur standardet e jetesës.
Në këtë takim u përmendën edhe një herë pikat kryesore në Raportin e Progresit dhe se Krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet që të luftohen më shumë, raporton gazetametro.net.
Përfaqësuesit e Institucioneve pjesëmarrëse treguan gatitshmërinë e institucioneve të tyre për të përmbushur obligimet nga raporti.
Zëvendëskryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina në këtë takim tha se prokurori i shtetit ka marrë shumë seriozisht obligimet që dalin nga MSA dhe të raportoj sa më drejtë të arriturat në këtë drejtim.
“Kryeprokurori i shtetit ka caktuar një prokuror me përvojë për shënjestrimin e rasteve më të mëdha në të cilat do të përfshihet progresi i arritur”, ka thënë Morina.
Sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit zëvendëskryeprokuroja tregoi satistikat për vitin 2016 gjatë përiudhës 9 mujore.
“Kemi 51 raste në punë me 495 persona, dhe dy raste të reja të pranuara gjatë kësaj periudhe me 60 persona. Janë zgjidhur raste të 106 personave dhe për 54 persona është ngritur aktakuzë”, tha Morina.
Edhe Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini tha se MSA-ja rrit më shumë përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës për zbatimin e obligimeve që kemi marrë./gazetametro.net