Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku ka qenë ndër protagonistët kryesorë të Spartakut të Moskës, duke shënuar dy gola në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të Kupës së Rusisë.
Skuadra e tij triumfoi të enjten mbrëma në transfertë ndaj Rodina Moskës, me rezultatin 4:2.
Daku u dallua në pjesën e dytë të takimit, kur fillimisht realizoi në minutën e 48-të për të barazuar shifrat në 2:2. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë shënoi sërish në minutën e 64-t, duke kaluar Spartakun në epërsi, 3:2.
Paraqitjen e tij, 27-vjeçari e përfundoi në minutën e 79-të, kur u zëvendësua.
Me këtë fitore, Spartaku ka arritur në kuotën e 10 pikëve pas katër ndeshjesh në Grupin A. Përveç dy golave të realizuar, Daku ka regjistruar edhe një asistim në këtë garë.