Loading…

Ministrja Bajrami kërkon dorëheqjen e Mustafës

  • 28/12/2016 | 13:32

Ministrja Bajrami kërkon dorëheqjen e Mustafës

Pas rastit të humbjes në Gjykatën e Arbitrazhit, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami ka kërkuar dorëheqjen e kryeshefit dhe gjithë bordit të Telekomit të Kosovës.


Ministrja Bajrami sot në mbledhjen e Qeverisë tha se krahas mbështetjes  nga Qeveria disa ndërmarrje publike janë duke afaruar me humbje, e cila kërkoi që të ndërmarrin masa.

Sipas saj  Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komiteti ndërministror kanë për obligim të shohin edhe performancën e tyre dhe të marrim masat e duhura. Në raportin e shqyrtuar për vitin e kaluar, ajo tha se disa prej ndërmarrjeve publike kanë afaruar me humbje dhe kanë rritur numrin e punëtorëve për dhjetëra punëtorë.

Bajrami: Për humbjen në arbitrazh duhet të japin  dorëheqje menaxhmenti dhe Bordi i Telekomit të Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë është marrë edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore të kursyera prej 24 milionë e 400 mijë euro për infrastrukturë rrugore (autostradë për Shkup), për libra, për ndërtimin e shkollave, për trajtim të pacientëve jashtë vendit, për derivate ngrohje dhe për ndërmarrje publike të cilat kanë vështirësi financiare.

Për këtë tepricë të mjeteve që u ndan rreth 1 milion euro për ndërmarrjet publike dhe prej tyre 100 mijë euro edhe për Infrakos, kryeministri Isa Mustafa tha se nga viti i ardhshëm do të marrin masa si Qeveri për ato ndërmarrje publike që nuk po kanë performancë dhe po afarojnë me humbje.

Kryeministri ngriti shqetësimin e tij për menaxhimin e keq të ndërmarrjeve publike, i cili tha se kjo kërkon analizë të veçantë.

Po ashtu Mustafa si problem e ngriti edhe çështjen për menaxhmentet dhe bordet e NP-ve, tha se kundrejt rezultateve të tyre të ulëta në performancë po ndajnë bonuse për udhëheqësit e këtyre ndërmarrjeve.

Mustafa ka arsyetuar edhe ndarjen e mjeteve shtesë për autostradë duke thënë se janë të detyruar  të ndajnë mjete për autostradën, sepse si Qeveri janë vonuar në ndarjen e pagesave për këtë projekt dhe kanë hyrë në borxh edhe për vitin e ardhshëm.

“Çështja e kompanive publike është çështje mjaft e ndjeshme që kërkon një analizë të veçantë dhe jam për atë që në fillim të vitit të ardhshëm të ulemi e të shohim te këto kompanitë publike, të cilat ose kanë probleme të performohen ose kanë kushte objektive, të cilat janë të pa përshtatshme për to dhe duhet të ekzistojnë, dhe çka duhet të bëjë Qeveria për to, veçmas këto të hekurudhës që janë më të ndjeshme. Kemi po ashtu probleme te disa kompani publike për vendimet që po i marrin bordi dhe menaxhmenti i kompanive publike, ngase ne po i ndajmë mjete për me i mbuluar shpenzimet, ata po ndajnë pastaj edhe bonuse dhe shpërblime të veçanta për menaxhmentin dhe bordet përkundrejt rezultateve të tyre tepër të ulëta që është krejtësisht në kundërshtim me atë që po bëjmë ne”, tha kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e Qeverisë zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, i cili mori pjesë për herë parë në mbledhje të Qeverisë ngrit çështjen e Infrakos dhe Trainkos, i cili tha se shuma prej 100 mijë euro për Infrakos është e vogël . Ai tha se ishin kërkuar mbi 800 mijë euro për borxhet.

“Kjo ndarje nga këto kursime nuk e mbulon as për së afërmi atë pjesën që e quajmë pjesë ligjore të përmbushjes së obligimeve që ka të bëjë sidomos me ndërmarrjet publike. E kam fjalën për Infrask dhe Trainkos që mbulimin e asaj shtesës ose kostos direkte të shpenzimeve, e cila nuk mund të mbulohet nga vet ndërmarrja. Kërkesat kanë qenë të shumta dhe këto borxhe jo që janë duke u zvogëluar por janë duke u rritur, sidomos në ndërmarrjet publike në pjesën Veriore të Mitrovicës… prandaj kur të bëhen këto ndarje nga kursimet, por jo vetëm nga kursimet të kihet parasysh që së paku ajo që është ligjore të kryhen dhe pastaj pjesët tjerë që në fund të fundit kështu do ti shpëtonim edhe ndërmarrjet publike ose kështu do ti falimentojnë, sepse jemi duke e bërë këtë”, tha Koci.

Qeveria në mbledhjen e saj po ashtu mori vendim për ndarjen e 150 mijë eurove për Shoqatën e Invalidëve të luftës së UÇK-së, për blerjen e protezave për invalidët e luftës. Qeveria po ashtu ka përkrah iniciativën e Ministrit të FSK, Haki Demolli për marrëveshjen e lidhjes ushtarake-financiare Kosovë-Turqi.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë