Lirim Krasniqi nga Prizreni, akuzon Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për shkelje të Ligjit për shërbimin civil, si dhe Rregullores për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil.
Nëntorin e vitit të kaluar, Krasniqi kishte konkurruar në pozitën “Zyrtar për Koordinim dhe Komunikim në procesin e marrëveshjeve”, në Departamentin e Integrimeve Evropiane dhe Koordinim të Politikave.
Ai pretendon se i është bërë e padrejtë, pasi, sipas tij, ministria në fjalë nuk e ka njoftuar për rrjedhën e konkursit për çfarë është e obliguar me ligj.
Krasniqi ka dyshimet e tij, se diçka nuk ka shkuar në rregull me këtë konkurs.
Mirëpo, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se të gjitha veprimet e tyre janë në pajtim me ligjet në fuqi.
Sekretari i kësaj ministrie, Izedin Bytyçi, sqaron se kjo nuk është pozitë e rregullt dhe nuk i nënshtrohet Ligjit për shërbimin civil. Sipas tij, të punësuarit me këto marrëveshje nuk e gëzojnë statusin e shërbyesit civil.