Një memorandum i nënshkruar për financimin e projekteve infrastrukturore në Drenas, i nënshkruar sot nga kryetari i kësaj komune Ramiz Lladrovci dhe Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, do të bëjë me asfalt shumë rrugë të kësaj komune.
Me këtë Memorandum, MI-ja do të financojë realizimin e ndërtimit të urave në komunën e Drenasit në vlerë prej 30 000 €, asfaltimin e rrugës Polluzhë – Shtuticë – Dashec në vlerë prej 500 000 €, asfaltimin e rrugës Baicë – Tërstenik në vlerë prej 250 000 €, rrugën në Fushticë të Ulët në vlerë prej 80 000 €, rrugën “Gani Elshani” në vlerë prej 250 000 €, infrastrukturën në lagjen e dëshmorëve në Poklek në vlerë prej 200 000 €, asfaltimin e rrugës Llapushnik – Drenas në vlerë prej 150 000 €, asfaltimin e rrugës Sankoc – Fushticë në vlerë prej 250 000 € dhe nënkalimin në Llapushnik në vlerë prej 50 000 €, transmeton gazetaemtro.net.
Përmes një komunikate për media ku raportohet për këtë memorandum thuhet se ‘Ministria e Infrastrukturës obligohet të sigurojë mjetet për financimin e këtyre projekteve, ndërsa, Komuna e Drenasit obligohet të krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve pa pengesa për operatorët ekonomik, si dhe që projektet të zhvillohen në pajtim me Ligjin mbi prokurimin publik dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive’.
Po ashtu, në bazë të këtij memorandumi komuna obligohet të kryejë procesin e tenderimit dhe të caktojë komisionin për hapjen e ofertave dhe vlerësimin e tenderëve.
Në këtë komision duhet të jetë një anëtar nga Ministria e Infrastrukturës./gazetametro.net