Loading…

Ministria e Drejtësisë po zvarrit për Ligjin e Speciales? – kërkohet shqyrtim i mëtejshëm i projektligjit në Kuvend

  • 03/10/2026 | 16:07

Ministria e Drejtësisë po zvarrit për Ligjin e Speciales? – kërkohet shqyrtim i mëtejshëm i projektligjit në Kuvend

Ministria e Drejtësisë ka dhënë opinionin lidhur me nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.


Në një shkresë drejtuar sekretarit të Kuvendit të Kosovës, që e ka siguruar Klan Kosova ,pas kërkesës së këtij institucioni të datës 23 shtator 2026, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se e ka trajtuar çështjen me prioritet të lartë dhe kujdes të veçantë institucional.

Sipas Ministrisë, nisma legjislative është komplekse, pasi ndërthur çështje kushtetuese, funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat gjyqësore në zhvillim.

Departamenti Ligjor i Ministrisë së Drejtësisë ka shqyrtuar ndryshimet e propozuara që lidhen me juridiksionin lëndor, kohor dhe territorial të Dhomave dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, transferimin e rasteve në gjykatat dhe prokurorinë vendore, ndryshimin e dënimit maksimal të lejuar, faljen e personave të dënuar dhe kompetencat e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Ministria vlerëson se këto ndryshime, në vetvete, nuk paraqesin kolizion të drejtpërdrejtë me legjislacionin tjetër që rregullon sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Megjithatë, në opinionin e saj, Ministria thekson se përputhshmëria e ndryshimeve të propozuara me Kushtetutën e Kosovës, veçanërisht me Amendamentin nr. 24, si dhe me instrumentet dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, kërkon shqyrtim të veçantë dhe të specializuar.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky vlerësim duhet të bëhet në kuadër të procedurës legjislative në Kuvend dhe nga komisionet parlamentare kompetente, me theks te Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit.

“Projektligji kërkon vlerësim të mëtejshëm të specializuar në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë.

Në fund, Ministria ka bërë të ditur se, përmes Qeverisë së Kosovës, mbetet e gatshme të japë kontributin e saj profesional gjatë diskutimeve dhe procedurës së mëtejshme të shqyrtimit të projektligjit në Kuvend.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë