Ministria e Arsimit ka anuluar konkursin e komunës së Prishtinës për drejtorët e institucioneve parashkollore.
Mirëpo, ndaj këtij vendimi do të ankohen autoritetet e kryeqytetit, njofton Klan Kosova.
“Inspektorati i arsimit ka realizuar dy inspektime, një special në të gjitha institucionet parashkollore dhe një kontrollues në drejtorinë e arsimit. Për të dyja janë nxjerrë procesverbale dhe rekomandime të cilat nuk janë respektuar nga drejtoria komunale e arsimit”, tha inspektorja e Arsimit, Shyhrete Reçica.
Udhëheqësit e institucioneve parashkollore morën detyrën javën e kaluar në bazë të rezultateve të konkursit të shpallur në tetorin e vitit të kaluar, të cilin e anuloi MASHT’i të enjten.
Mirëpo, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, deklaroi se do ta kontestojë çdo vendim të institucionit kryesor në vend.
“Ministria e Arsimit nuk ka kompetencë për të anuluar konkurse dhe nuk do të duhej të kishte, sepse është Këshilli i pavarur mbikëqyrës të cilët janë kompetentë për tu siguruar për aspektin ligjor në këtë drejtim”, tha Arbërie Nagavci.