Zëvendësministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, në vazhdën e turneve diplomatike, sot ka vizituar edhe Suedinë.
Gjatë kësaj vizite, Pacolli u takua me homologen e tij Margot Wallstrom, duke vazhduar me sekretaren e shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ndërkombëtar, Ulrika Moder.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, një takim tjetër u zhvillua edhe me grupin e miqësisë Suedi-Kosovë.
“Suedia si një ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës ka arritur të zgjerojë vazhdimisht bashkëpunimin dhe partneritetin në mes dy vendeve. Ky shtet ka mbështetur konsolidimin e Kosovës si në nivelin e brendshëm ashtu edhe në integrimin e shtetit në komunitetin europian”, thuhet në komunikatë.