Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, do të vijë në Kosovë për një vizitë zyrtare më 4 qershor.
Kështu ka mësuar portali klankosova.tv nga burimet e veta.
Dendias do të pritet nga kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla, por ende nuk dihet agjenda e plotë e tij.
Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Europian që ende s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, shteti grek ka thënë se do të ndihmojë Kosovën në përpjekjen e saj për liberalizimin e vizave.
Po ashtu, Greqia dhe Kosova së fundmi kanë thelluar bashkëpunimin në sektorin ekonomik. Ministritë e jashtme të dy vendeve kanë mbajtur forumin e tretë ekonomik Kosovë-Greqi me fokus në sektorin e energjisë gjatë muajit prill.
Afrimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë e ka parë si lajm jo të mirë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
”Meqenëse ka pasë disa ndryshime në marrëdhënie, unë pres të shoh nëse është vetëm një zyrë tregtare apo diçka më shumë midis Greqisë dhe Kosovës, siç thonë ata. Ne do të shohim se si do të shkojë, kështu që do të informojmë publikun”, kishte thënë Vuçiq.