Gjykimi i ministrit Valdrin Lluka u shty për kohë të pacaktuar, ngase mungoi e akuzuara tjetër e këtij procesi Eliana Naka.
Për shkak të mungesës së të akuzuarës Eliana Naka, u shty për kohë të pacaktuar seanca ndaj saj dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik Vladrin Lluka. Lluka e Naka akuzohen për konflikt interesi.
Shtyrjen e gjykimit deri në muajin mars e kërkoi Teuta Zhinipotoku, avokatja e Nakës, duke e arsyetuar kërkesën për shtyrje me gjendjen jo të mirë shëndetësore të të mbrojturës së saj.
Pas kësaj kërkese gjyqtari Hamdi ibrahimi kërkoi mendimin e palëve nëse duhet të shtyhet seanca, apo të veçohet procedura ndaj Nakës.
Prokurorja e shtetit Habibe Salihu propozoi që të shtyhet shqyrtimi gjyqësor pas muajit mars kur pritet që e akuzuara të jetë në gjendje ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor.
Habibe Salihu tha se shtyrja për disa muaj nuk ndikon në efikasitetin e trajtimit të rastit.
Artan Qerkini, avokat i Valdrin Llukës tha se Nakës i duhen edhe tre- katër muaj për rikuperim pas muajit mars që ajo ta marrë veten.
Qerkini konstatoi se kërkesa për veçim të procedurës nuk e dëmton procesin.
“Provat mund të lexohen më dy raste të ndara pa e dëmtuar aspak procedurën. Aq më pak kur i mbrojturi im është ministër dhe dëshiron që sa më parë t’i jap epilog këtij rasti”, tha Qerkini.
Por gjykata megjithatë vendosi që gjykimi të shtyhet. Lluka e Naka u deklaruan të pafajshëm në seancën e 18 dhjetorit 2017.