Mbi 3 miliardë euro të kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës janë të investuara në tregjet financiare të SHBA-së dhe Evropës, ndërsa Kosova vazhdon të renditet si vendi i dytë më i varfër në Evropë, shkruan Gazeta Metro.
Paratë që punëtorët kosovarë i ndajnë çdo muaj për pension nuk po qarkullojnë në ekonominë vendore, nuk po financojnë fabrika, prodhim apo projekte zhvillimore në Kosovë, por po investohen në kompani amerikane e evropiane, në fonde ndërkombëtare, aksione, dhe tregje financiare jashtë vendit.
Sipas të dhënave të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, vlera e aseteve ka arritur në 3.28 miliardë euro, ku pjesa më e madhe e tyre janë të vendosura në tregjet e SHBA-së dhe Evropës përmes kompanive si Vanguard, BlackRock, JPMorgan, Invesco e të tjera.
Rreth 60 për qind e krejt fondit janë të investuara në aksione globale, përfshirë kompani si Apple, Microsoft dhe korporata të mëdha ndërkombëtare, ndërsa një pjesë tjetër në obligacione shtetërore të vendeve si Austria, Franca e Italia.
Një pjesë e investimeve janë në sektorë më të rrezikshëm si energjia dhe industria e mbrojtjes, ndërsa rreth një e treta e portofolit është në instrumente më të sigurta si obligacionet dhe depozitat bankare.
Vetëm gjatë vitit 2025, Trusti realizoi mbi 312 milionë euro fitim nga investimet ndërkombëtare, duke rritur edhe më shumë vlerën e kursimeve të qytetarëve të Kosovës.
Struktura e përgjithshme e investimeve nga 3.28 miliardë euro:
59.7% (1.96 miliard €) janë në aksione
12.9% (424 milion €) në instrumente borxhi
9.9% (325 milion €) në fonde multi-asete
8.1% (267 milion €) në asete reale
9.4% (307 milion €) në kesh dhe treg të parasë
Kjo strukturë tregon se Trusti ka orientim kryesisht drejt rritjes afatgjatë, pasi pjesa më e madhe është në tregun global të aksioneve.
Investimet në tregun e aksioneve (1.96 miliard €)
Aksione pasive (ETF dhe fonde indeksuese) -1.45 miliard €
Këto investime ndjekin indekse të mëdha botërore dhe konsiderohen më të qëndrueshme dhe me kosto më të ulët.
Vanguard Group (SHBA) – 715,047,183 €
Një nga menaxherët më të mëdhenj të aseteve në botë. Investimi përmes fondit global përfshin kompani si Apple, Microsoft, Nestlé, etj.
Invesco (SHBA) – 259,188,871 €
Përmes ETF që ndjek indeksin S&P 500.
BlackRock / iShares (SHBA) – përmes disa ETF-ve evropiane dhe britanike
MSCI Europe Value ETF – 128,485,240 €
Core FTSE 100 ETF (Mbretëria e Bashkuar) – 50,578,350 €
Listed Private Equity ETF- 26,254,295 €
Amundi (Francë)
MSCI Europe Quality Factor ETF – 76,591,015 €
MSCI Japan ETF – 46,079,586 €
UBS Group (Zvicër)
Core SPI ETF – 32,810,999 €
State Street Global Advisors (SHBA) përmes SPDR ETF
European Dividend Aristocrats – 32,563,525 €
Russell 2000 Small Cap – 32,536,530 €
E derisa mbi 3 miliardë euro të kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës janë të investuara në bursat dhe ekonomitë më të mëdha të botës, Kosova vazhdon të renditet ndër vendet më të varfra në Evropë.
Sipas raportit të fundit ndërkombëtar të publikuar nga World Atlas, bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2025, Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Moldavisë.
Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 100 euro ndihmë për kategori të ndryshme të qytetarëve, përfshirë pensionistët, studentët dhe familjet, në një periudhë kur qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve.
Pikërisht për këtë situatë kishte reaguar edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, e cila ka kërkuar që një pjesë e fondeve të Trustit të investohen në projekte zhvillimore brenda Kosovës.
Sipas AKB-së, është e papranueshme që një fond me përmasa miliardëshe të mos ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Këto mjete duhet të kthehen në investime të sigurta dhe të orientuara në sektorët strategjikë si energjia, prodhimi dhe infrastruktura”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se kjo situatë tregon mungesë të vizionit shtetëror dhe përgjegjësisë institucionale ndaj ekonomisë vendore.
“Është e papranueshme që mbi 3 miliardë euro të kursimeve të qytetarëve të Kosovës të mos kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka deklaruar Shahini.
Megjithatë, Trusti i Kursimeve Pensionale argumenton se investimet jashtë vendit bëhen për të ruajtur sigurinë dhe rritjen afatgjatë të kursimeve pensionale, pasi tregu i Kosovës mbetet i vogël dhe me mundësi të kufizuara investimi.
Më 24 shkurt 2026, Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës raportoi se asetet e tij kanë arritur në 3.28 miliardë euro, shumica e të cilave janë investuar në aksione, fonde ndërkombëtare dhe obligacione shtetërore në tregjet e zhvilluara.
Trusti i Kosovës nuk i mban paratë në Kosovë, por i investon në tregjet financiare ndërkombëtare për të rritur vlerën e tyre në afatgjatë./gazetametro.net