Komuna veriore e Mitrovicës dhe Zveçani, me urdhër të qeverisë serbe janë futur në karantinë, gjë që konsiderohet ndërhyrje në territorin e shtetit të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Këtë e ka komentuar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka thënë për Gazetën Metro se Republika e Serbisë po shfrytëzon situatën që ka krijuar pandemia COVID-19, për të shkaktuar tension në Republikën e Kosovës.
Miftaraj tutje thotë se institucionet e vendit kanë marrë masa prevetive për të gjithë territorin e Kosovës, gjë që duhet të aplikohen edhe në veri, çdo urdhër tjetër që vjen nga një shtet tjetër, është vepër penale qoftë nga ana e kryetarëve të komunave, por edhe të personave të tjerë.
“Në bazë të Kushtetutës së Kosovës pa dyshim që pjesa veriore e Kosovës duhet të kontrollohet nga institucione të Republikës së Kosovës, në këtë drejtim qasja e fundit e Serbisë për të shpallur pjesën veriore dhe futur në karantinë, pa dyshim që do të duhej të ketë reagim jo vetëm nga institucionet e Kosovës, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Pa dyshim që urdhrat që vijnë nga një shtet tjetër, duhet injoruar në radhë të parë nga ana e kryetarëve të komunave në pjesën veriore të Kosovës, në anën tjetër edhe qytetarët e asaj pjese nuk duhet zbatuar. Për tërë Republikën e Kosovës tani më veç janë marra masa nga ana e institucioneve të Kosovës, përfshirë Ministrinë Shëndetësisë. Andaj, ligjet e aplikueshme, politikat të aplikueshme edhe në pjesën veriore janë ato të Republikës së Kosovës. Çdo urdhër tjetër që vjen nga një shtet tjetër, pa dyshim që është vepër penale qoftë nga ana e kryetarëve të komunave, por edhe persona të tjerë që iu binden politikave të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Miftaraj.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë në situatën emërgjente të shëndetit publik në Mitroviën e Veriut dhe në Zveçan, duke shtuar se ministri Vitia është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna.
“Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e përfshirë në situatën e emergjente të shëndetit publik në komunën veriore të Mitrovicës Veriore dhe Zveçan. Ministri Vitia është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna”, ka thënë Kryeziu.
Kujtojmë se së fundmi janë konfirmuar edhe pesë raste ë reja me koronavirus në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, duke çuar kështu numrin e përgjithshëm në 23. /gazetametro.net