Konflikti shqiptaro-serb në Kosovë gjithnjë e më shumë po merr dimensionin e njëfarë meta-kontesti. Tensioni është i madh, ka shumë kërcënime, por edhe aty mbetet, kryesisht, në replikat e kota verbale. Në të vërtetë, duke synuar kufijtë e mundësive të realizimit të interesave kombëtarë, në shkallëzimet verbale, të dy palët kanë ardhur deri në skajshmëri. Kështu, nacionalistët ekstremë serbë kërcnojnë se do t’i vrasin apo do t’i përzënë shqiptarët nga toka e shenjtë serbe. Nga ana tjetër, shqiptarët ekstremë llogarisin se atë ditë kur Kosova do të jetë e lirë pothuaj të gjithë serbët e këtushëm do të ikin me bisht ndër shalë nga veriu ngase viteve të fundit janë ngarkuar me shumë mëkate mbi bashkëqytetarët dhe fqinjtë: “Serbët do të ikin vetë pa pritur të përzihen”. Të dy palët theksojnë se nuk ka më mundësi për bashkëjetesë, ndërsa zgjidhje, thonë, është ndarja komplete dhe fizike. Me fjalë të tjera, kur serbët thonë: “Shqiptarët le të shkojnë në Shqipëri apo në dreq të mallkuar, sepse Kosova është e jona!”, këta të tjerët u përgjigjen: “E pse ju serbët, meqë jeni më pak, nuk shkoni në Serbi dhe çlironi gjysmën e popullit dhe të territoreve shqiptare?!”
Shkruan Shkëlzen Maliqi
Shmangia nga konflikti i hapur.
Megjithatë, sadoqë kjo luftë verbale të jetë e ashpër dhe qysh tash shkon në ekstreme, prapseprapë në realitet ka mbetur një dozë e racionalitetit në përmbajtjen dhe shmangien nga konflikti i përmasave më të mëdha. Në Kosovë, përkundër asaj që pritej, është derdhur më pak gjak se sa në zonat e luftës në Jugosllavi. Lufta aktuale serbo-kroate arriti, të themi, në Dubrovnik dhe në qytetet tjera kroate më parë se ç’mund të përmendeshin dhe të vinin në vete qytetarët e tyre, derisa kosovarët me vite të tëra ishin të përgatitur për gjithëçka, bile edhe për më keq se ç’u ndodhi kroatëve. Por, mbase pikërisht fakti se e dinin se çka mund t’i gjente i shpëtoi shqiptarët nga naiviteti i kroatëve që nuk besonin se serbët mund t’i kapërcenin të gjithë kufinjtë dhe ta ndeznin thuaja gjysmën e Kroacisë.
Kjo nuk është lufta e jonë.
Ali Podrimja në vjershën kushtuar djelmoshave të rinj shqiptarë të mobilizuar me forcë thotë:
Ajo nuk është lufta jonë.
Jeta po na përgatit edhe për më të keqen
ç’është dhembja apo gëzimi
nuk dimë më
Ajo nuk është lufta jonë
Nga plumbi shëtitës kroat
do t’biesh ndoshta
ose nga thika serbe te ndonjë krua
vdekja është e sigurt
Shpinën ma kthe edhe mua o bir
jetën ma rrit edhe për dy pëllëmbë
të kapërcesh flakën është urti…
‘Paqja’ që nuk durohet
Por, nëse në Kosovë nuk shpërtheu lufta, nuk do të thotë se kemi qenë në paqe. Në vend të bashkëjetesës këtu tash e katër vjet zhvillohet një jetë e ndarë rigorozisht, paralele, në të cilën pikëpjekjet e dy komuniteteve janë reduktuar në masën më të vogël, pos kur është e domosdoshme dhe e nevojshme në raportet me pushtetit (kontaktet me policinë, me tagrambledhësit etj.), apo marrëdhënie këmbimesh (në treg, shitore, sportele…).
Nga ana tjetër, një ‘paqe’ e tillë kosovare në esencë nuk është aspak kurajuese. Përkundrazi, ajo nga një anë durohet shumë më vështirë se sa lufta e vërtetë. Sepse, shqiptarët duke mos i dalë në mejdan kundërshtarit që provokon, krijuan një ndjenjë se jetojnë të përulur dhe si shpirtra të ndrydhur apo se, që është gjithashtu përulëse, kënaqen me replika verbale, me lutje dhe pritje se të drejtën dhe lirinë më në fund do t’ua sjellin magët e botës, ata që “i shohin të gjitha dhe i mbajnë mend të gjitha”.
Por, ç’u bë me forcën e tyre vetanake? A thua vullneti i shqiptarëve do të ketë edhe forcën e rezistencës së hapur?
Demi i Camajt.
Te ky moment më bien ndërmend vargjet e Martin Camajt, azilantit tonë, të vdekur para pak kohësh në Mynih:
“Si mos me dalë mendsh tue ndie
edhe erë gjaku mekshash?
Me gjithë atë fuqi në kurm
e ka vështirë me ecë
lehtas e butë përmbi kaos. ”
Ciklin e fundit të vjershave Camaj ia kushtoi Demit, asaj gërdalle të zezë të stërmadhe, që vlon nga shëndeti, e prapë duket aq e mirë dhe e butë. Tufa demash mund të ndeshësh anë e mbanë Kosovës, sidomos gjatë muajve të verës, ndërsa Camaj në parafytyrimin e demit të stepur, të cilit ia mbysin viçin para syve, në të vërtetë sheh Kosovën, atë tokë të zezë të stepur, me një fuqi të jashtëzakonshme, e cila ndjek urtë e butë urdhrat e fatit.
Si të qëndrosh njerëzisht?
A thua, megjithatë, mund të “ecet lehtas e butë përmbi kaosin (kosovar)”? A thua, përkundër gjithë asaj që po ndodh, mund të qëndrohet njerëzisht i pathyeshëm. A thua mjafton që na lavdërojnë të tjerët, mes tyre edhe disa nga kokat më të mençura serbe, siç janë Milovan Gjilas apo Bogdan Bogdanoviç apo Mirko Kovaç? Në ditarin e tij të Parisit që e boton “Borba”, Kovaçi, përveç të tjerave, shkruan: “Shqiptarët politikisht janë populli më i pjekur në Jugosllavi.”[1]
Befasia e përgjigjes shqiptare
As njohësit më të mirë të rrethanave kosovare dhe të mentalitetit të shqiptarëve, të cilët edhe më herët e kishin parashikuar se gjendja në Kosovë mund të ashpërsohej keqaz dhe të shpërthenin konflikte të ashpra dhe të gjata, nuk e parashikuan dhe ende nuk mund ta shpjegojnë faktin se shqiptarët për kryengritjen e vet të përgjithshme dhe qëllimin secesionist zgjodhën kryesisht mjete politike e jo ushtarake.
Nga shqiptarët, në të vërtetë mund të pritej gjithëçka, por jo – gandizmi. Befasinë më të madhe e përjetuan, natyrisht, armiqtë e tyre, serbët. Sado që, nga njëra anë, gandizmi shqiptar ua mundësoi atyre që relativisht pa pengesa t’i realizonin masat radikale të suprimimit të autonomisë dhe të “serbizimit” të Kosovës, nga ana tjetër, gjithë ai agresion vërshues serb ishte një sulm në bosh me efekte dëshpruese. I llogaritur të derdhej mbi shqiptarët në shenjë të hakmarrjes shtetërore për kryengritjen secesioniste, ai u shndërrua në represion të pakuptimtë brutal mbi qytetarët, të cilët e shprehnin lirisht vullnetin e tyre të pavarur qytetar dhe kombëtar.
Hipokrizia e atyre që vetëm të ngushëllojnë
Shumë shqiptarë nuk janë edhe aq të fascinuar me gjykime të tilla dhe e lëvizin kokën në mëdyshje kur u përmendet gandizmi. Duhet të jesh në lëkurën tyre dhe ta kuptosh se viktima që e duron dhembjen nuk e ka shpesh aspak lehtë kur ia lavdëron qëndrueshmërinë. Përkrahja morale, natyrisht, mund të jetë kurajuese. Por kur je në lëkurën e viktimës, përkrahjen morale ndonjëherë e ndien thuajse si një hipokrizi të atyre që vetëm ngushëllojnë pa bërë gjë për ta ndihmuar me të vërtetë viktimën. Të lavdërojnë që po flijohesh, që dhunës nuk i përgjigjesh me dhunë, e nuk janë në gjendje as djersën nga balli të ta fshijnë, e aq më pak të bëjnë diçka që të ndryshojë sadopak gjendja, edhe atë jo për shkak të shqiptarëve, po për shkak të vetvetes. Sepse, edhe pse në Kosovë dhjetë vjet të tëra e pësonin kryesisht shqiptarët, ajo që ndodhte atje u përkiste në të vërtetë të gjithëve dhe i cënonte të gjithë [në Jugosllavi], bile edhe vetë popullin serb, i cili në fund përjetoi të zhytej në konflikt me të gjithë, ndërsa Beogradi dhe Shumadia, për shkak të ambicieve të sëmura dhe militarizimit theqafës dhe vetëvrasës, u shndërruan në llogore të mëdhenj rrëmuje ushtarake.
Frika nga idealizimet e parakohëshme.
Natyrisht nuk është punë e vogël dhe është tepër frymëzuese kur njerëz të urtë thonë se si popull jemi treguar politikisht më të mençur dhe më të pjekur në tërë ish Jugosllavinë? Vetëm se kjo nuk na ndihmon shumë për ta kuptuar më mirë veten dhe për të shpjeguar se, ja, edhe si viktimë e kemi ruajtur toruan dhe kemi fituar moralisht. As unë nuk hidhem dot deri në fund të analizës së vlerësimeve që japin Gjilasi apo Kovaçi. Së pari, sepse e tërë çështja është ende në proces, çdo gjë është në ardhje e sipër dhe në gjendjen e një tendosjeje eksplozive, në të cilën ndoshta ne shqiptarët nuk kemi treguar deri në fund se kush jemi dhe çka jemi. Kam frikë nga të gjitha gjeneralizimet dhe idealizimet e parakohëshme dhe se mos po shfryhet fascinimi ndaj gandizmit tone, si atëherë kur gjithë bota e përkrahte dhe e idealizonte luftën e vietnamezëve me amerikanët, ndërsa më vonë u pa se fituesit ishin stalinistë të vërtetë dhe harbutër imperialë regjionalë.
Nga e marrim këtë urti?
E dyta ka të bëjë me mungesën e të ashtuquajturve shpjegues të burimeve relevante. Në të vërtetë, ne nuk e kemi përgjigjen në pyetjen: nga e marrim këtë urti dhe këtë pjekuri? Nga cila traditë? Nga ç’libra? Nga cili manual doktrinar apo program nacional? Cili prijës apo mendimtar yni e shpiku atë strategji gjeniale të durimit dhe të veprimit me frymë të gjatë? Sepse nuk ka asgjë të shkruar në këtë drejtim dhe gjithëçka thuaja duhet mendohet, të shpjegohet në ecje, të nxirret nga brumi i gjallë i ngjarjeve.
Davidi kundër Goliatit.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çka është gandizmi shqiptar, nuk kam guxim të largohem aq shumë nga shënimet që i pata regjistruar në pranverë dhe në vjeshtë të vitit 1990,[2] kur rezistenca shqiptare papritur muar një formë të jodhunës, apo gjatë vitit të luftës 1991, kur shenjat e para të detantit shqiptaro-serb paralajmëruan mundësinë që ky gandizëm specifik, për të mirën e të gjithëve, mund të përfundonte edhe me fitore. Fundja, gjendja në Kosovë sot [më1992] nuk ka ndryshuar as një hap më tutje në raport me vitin 1990, derisa viti i ardhshëm, ai i luftës [në Slloveni dhe Kroaci], këtu krijoi hapësirën e paqes relative, ku sundonte aparteidi dhe ka tepër shumë represion policor, por s’ka vrasje masive dhe shkatërrime të mëdha, kështu që mund të jetohet disi.
Së voni në librin “Radhojt e Varshavës 1978-1984” të [shkrimtarit polak] Kazimierz Brandys, zbulova një vrojtim të jashtëzakonshëm mbi gandizmin si luftë të Davidit kundër Goliatit. “Mund të humbim sot, por s’mund të humbim përgjithmonë. Janë do plane që janë bërë për zhdukjen tonë, por është e pamundur të parashikohet në të ardhmen veprimi sekret i stuhive ende të pazbuluara dhe ngjarjeve të tjera të fshehura në natyrën e botës. Planet e zhdukjes mund të përplasen në to. Duhet vënë depozitin mbi të mirën kundër të ligës, por duhet luajtur urtë dhe me durim. Në një luftë të tillë populli shpesh ngadhnjen gjatë dy-tre brezave (në Indi, e cila i dëshmoi botës se ç’është forca e rrezistencës pasive, vendosi gjenerata e Gandit dhe e Nehruit). Një luftë e tillë mbështetet në një punë të jashtëzakonshme, tepër të gjatë, të vullnetit dhe të mendjes. Kjo është lufta për vetvete, jo vetëm për liri. Në te edhe vetë transformohemi.”
Duke përmbyllur këtë shënim Brandys e thotë edhe këtë: “Është punë e vështirë kjo e krijimit të formës së re të polonizmit”.[3], ndërsa unë me këtë rast po e parafrazoj se edhe gandizmi shqiptar ka përpara një punë të vështirë dhe të gjatë për krijimin e formës së re të shqiptarizmit.
Depoziti mbi të mirën:”Apeli opinionit demokratik” i 23 janarit 1990
Ndoshta duhet kujtuar momentin vendimtar kur në Kosovë, siç thotë Brandys, vumë depozitin mbi të mirën kundër të ligës. Në janar të vitit 1990 disa ditë para Kongresit të jashtëzakonshëm, në të cilin u shkatërrua Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, duke e diktuar se ekziston një skenar i gatshëm për militarizimin e çështjes jugosllave me anë të nxitjes së turbullirave në Kosovë, një grup njerëzish të rinj nga mendimtarët politikë që sapo afirmoheshin nxiti disa shoqata kosovare t’i shpallnin një Apel opinionit demokratik në të cilin thuhet:
“Sistemet autoritare njëpartiake janë zhytur në krizë në të gjitha sferat e jetës shoqërore për shkak se nuk e mundësonin artikulimin e lirë të interesave të qytetarëve e as zgjidhjen e problemeve me anë të dialogut tolerant në institucionet demokratike. Në Jugosllavi kjo vërehet më së miri në Kosovë, ku diskualifikimi dhe kriminalizimi i çdo kërkese dhe i të gjitha formave të shprehjes së pakënaqësisë së qytetarëve (të kombësisë shqiptare) nëntë vitet e fundit s’ka bërë gjë pos që e ka forcuar edhe më shumë pakënaqësinë e tyre, ndërsa intensifikimi i represionit me të cilën reagoi pushteti ndaj pakënaqësisë së tyre shpinte drejt forcimit të vazhdueshëm të tendosjes politike. Problemi kryesor i Kosovës pra është regjimi represiv që prodhon armiq, mosdurim, tendosje politike, polarizime etnike, bllokada dhe paralizimin e ekonomisë dhe të jetës publike. Prandaj bashkimi i lirë i qytetarëve dhe zgjedhjet e lira, si dhe identifikimi i interesave dhe dimensionimi i problemit mbi këto baza, është parakusht i dialogut demokratik, si rrugë e vetme racionale dhe e drejtë] për zgjidhjen e krizës së Kosovës. Mirëpo, pushteti i [uzurpuar] në Kosovë bën çkamos me qëllim që të pengojë proceset demokratike në Krahinë. [Apeli ishte shkruar para Deklaratës së pavarësisë më 2 qershor 1990 dhe shpalljes së Republikës më 7 shtator 1990]. Meqë nuk mund të deklarohet haptaz kundër pluralizmit politik, pushteti “i dhunshëm” tashti përpiqet të dëshmojë se gjoja Kosova ende nuk është e pjekur për demokraci. Sipas tyre, kjo Krahinë duhet të mbetet një lloj zone speciale ku edhe më tutje duhet aplikuar masat e jashtëzakonshme.
Për ta mbështetur këtë teori të vetën raciste, pushteti kosovar kohët e fundit ka shtuar fushatën e shpifjeve dhe imputimeve me të cilat kërkohet të diskualifikohen grupet dhe lëvizjet e posaformuara alternative, derisa nga ana tjetër gjendja në Kosovë tregohet me tone gjithnjë e më dramatike. Aq më tepër, nga organet zyrtare dhe forumet publike paralajmërohet fillimi i afërt i trazirave, bile edhe i kryengritjes së armatosur! Si mund të jepen aso parashikimesh kategorike të trazirave politike – pyesim ne? Mos po zbulohen kështu në të vërtetë dëshirat dhe qëllimet e pushtetit kosovar. Duhet pritur, pra, se të gjitha incidentet eventuale në të ardhmen do të shfrytëzohen për argumentimin e domosdoshmërisë së vazhdimit dhe forcimit të masave të jashtëzakonshme.
Për këtë arsye i tërheqim vëmendjen opinionit sa vijon:
1. Po shprehim bindjen tonë se demonstratat, tubimet protestuese dhe format të tjera të presioneve politike, aktualisht të ndaluara, pra jolegale, nuk i kontribuojnë demokratizimit dhe zgjidhjes së problemit, por do të shfrytëzohen për fuqizimin e masave të jashtëzakonshme;
2. thërrasim të gjitha forcat demokratike në Kosovë, e veçanërisht të rinjtë, që të angazhohen për pengimin e eksceseve dhe të çdo veprimi tjetër që do të mud ta nxiste dhe t’ia zgjaste jetën sistemit represiv;
3. i bëjmë apel opinionit demokratik jugosllav dhe botëror që të angazhohet në mënyrë më të vendosur kundër përpjekjeve që Kosova të izolohet nga proceset demokratike, përveç të tjerave edhe për shkak se fati i demokracisë në Jugosllavi është i lidhur ngusht edhe me fatin e demokracisë në Kosovë;
4. kërkojmë suprimimin e masave të jashtëzakonshme, që organet kompetente shtetërore dhe gjyqet ta mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë dhe kështu të sigurojnë respektimin e të drejtave dhe lirive elementare të çdo qytetari, të cilat ka një kohë të gjatë që shkelen masivisht (ndjekja e qytetarëve për shkak të mendimit të shpallur nëpër forumet publike, mohimi i të drejtës për punë dhe të drejtës së shkollimit përmes aplikimit të kriteriumeve antikushtetutare të përshtatshmërisë moralo-politike, suprimimi i lirisë së të folurit me anë të kontrollit rigoroz të mjeteve të informimit publik, etj.) dhe në fund, kërkojmë ndërprejen e të gjitha proceseve [gjyqësore] politike, si dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë të cilët nuk kanë praktikuar dhunë.[4]
5. Minatorët e Trepçës.
Nuk po them se ky Apel ishte akti i parë i gandizmit kosovar. Këtë privilegj ndoshta e meritojnë minatorët e “Trepçës” të cilët në nëntor të vitit 1988 organizuan nje marsh protestues shembullor dhe të disiplinuar [nga Mirovica deri në Prishtinë], ndërsa në shkurt të 1989-ës nisën edhe grevën e njohur tetëditëshe në zgafellë. Apeli është i rëndësishëm për faktin që dha artikulimin e parë të qartë politik të asaj që minatorët e kishin shtruar intuitivisht si strategji, që dhunës serbe nuk duhet përgjegjur me dhunë, por me shprehjen e qartë të vullnetit politik.
Provokimet serbe për luftë.
Apeli megjithatë nuk e pengoi shpërthimin e pakënaqësisë së shqiptarëve pas intervenimit brutal të policisë kundër demostratave të qeta në Prishtinë më 26 janar 1990, në të cilat u kërkua demokracia dhe zgjedhje të lira. Brenda një jave në Kosovë u vranë 36 shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe fëmijët dhe pleqtë, veprimet e ekspeditave ndëshkuese serbe në disa vende (Malishevë, Gllogovc) thuase vërtet kishin qëllim të vetëm nxitjen e kryengritjes masovike që të mund të arsyetohej hakmarrja e madhe ushtarake.
Peticioni “Për demokraci, kundër dhunës”
Gjatë kësaj kohe po ai grup i njerëzve që hartoi Apelin nxiti nënshkrimin publik të peticionit të quajtur “Për demokraci kundër dhunës“, të cilin do ta nënshkruajnë rreth 400.000 vetë brenda një jave. Edhe Ibrahim Rugova, më në fund, meqë tashmë ishte promovuar si lider kombëtar i shqiptarëve, më 2 shkurt 1990 doli me apel për përmbajtjen nga konfliktet e rrugës dhe për aplikimin e mjeteve kryesisht politike në luftë për çlirim kombëtar. Me këtë definitivisht ishte vënë depoziti mbi të mirën kundër ligësisë, për demokraci dhe kundër dhunës, sepse shqiptarët që nga ato ditë u transformuan krejtësisht, ndërprenë të gjitha aksionet anarkike dhe të tjera, iu nënshtruan vetëdisiplinës, organizimit dhe vetëflijimit fanatik.
Vullneti dhe e drejta për shkëputje.
Të gjitha faktet tregojnë se ia kanë qëlluar argumentit të vërtetë, apo se mendimi i tyre ishte në frymën e kohës së re dhe të detantit të përgjithshëm evropian e botëror. Por nëse problemi i Kosovës nga aspekti i shkeljes së të drejtave të njeriut ishte i qartë për të gjithë dhe jepte një orientim të zgjidhjes përmes presioneve ndaj shtetit nën jurisdiksionin e të cilit është Kosova, ai në rebelimin gandist të shqiptarëve mori përnjëherë dimensione të tjera të asaj që në të drejtën ndërkombëtare sanksionohet si secesion apo si prekje e parimit të pacënueshmërisë së kufinjve. A kanë të drejtë shqiptarët e Kosovës për republikën e vet? A thua munden, nëse ai është vullneti i tyre, të shkëputen nga Serbia dhe Jugosllavia e pastaj t’i bashkohen Shqipërisë?
Vetëvendosja paqësore?
Shqiptarët e Kosovës me këtë, në një formë të ashpër, por me mjete absolutisht të pranueshme dhe të pakontestueshme – me anë të vetëpërcaktimit faktik qytetar – i bënë të diskutueshme konceptet tradicionale të suverenitetit shtetëror dhe të të ashtuquajturit status të pakicave si qytetarë e shtetas që i kanë të drejta të kufizuara [brenda një shteti sovran]. Me këtë, nga ana tjetër, është qëlluar plaga e ndieshme. Sepse, si qëndron atëherë puna me Korzikën, apo me Bretanjën apo Skotlandën, apo Kataloninë, të përmendim vetëm shembujt e Evropës Perëndimore? A thua ata mund të vetëvendosin në mënyrë paqësore? Si të veprohet me pakicat në kuadër të disa shteteve të caktuara që jetojnë në territore kompakte ku faktikisht janë shumicë? A thua e drejta kombëtare dhe e drejta e vetëvendosjes hyn në korpusin e të drejtave elementare të njeriut? Çfarë qëndrimi të merret ndaj referendumeve kombëtare që kanë qëllime secesioniste?
Rendi i tashëm ndërkombëtar buron nga të drejtat e fituara me luftëra dhe ka një morri çështjesh dhe konfliktesh të ngrira që mund t’i adresohen vetëvendosjes, por nuk e lejon rendi aktual. A thua duhet të mbetet kështu? A thua Kosova, e cila në çdo aspekt, edhe gjeografikisht edhe etnikisht edhe si areal kulturor, është tërësi më vete, me çdo kusht duhet të mbetet nën Serbi?
1912-shi: Okupimi serb i Kosovës.
Fuqitë evropiane me Marrëveshjen e Versajës e sanksionuan okupimin e Kosovës që e bëri Serbia më 1912 pasi që kryengritësit shqiptarë faktikisht e kishin çliruar atë duke e përfunduar me sukses njërën nga kryengritjet e shumta kundër Perëndorisë Otomane, në kuadrin e së cilës ishte deri atëherë Kosova. Paria shqiptare e Kosovës, për më tepër, më 1912 shkoi në Beograd dhe i ofroi Serbisë kalimin e lirë të ushtrisë nëpër Kosovë, me kusht që lufta me turqit të përfundojë ashtu që shqiptarët të mbeten të lirë, por, siç dëshmojnë burimet e asaj kohe, Serbia u kthye kundër shqiptarëve, i çarmatosi dhe organizoi ekspedita ndëshkuese. Socialdemokrati serb Dragisha Lapçeviç dha këtë dëshmi më 1914: “Në vend që Serbia, e cila aq kohë kishte luftuar për çlirimin e vet, të bënte gjithë ç’ishte e mundur që edhe shqiptarët ta gëzojnë lirinë – Sërbia e shpuri ushtrinë e vet dhe shkeli nëpër Shqipëri, për të dalë në Detin Adriatik me dëshirë që ta nënshtrojë popullin shqiptar dhe ta vërë nën zgjedhën e robërisë.” [5]
Edhe Lav Trocki, që si raportues ndiqte nga afër luftrat ballkanike, shënoi se cila ishte forma e vërtetë e aksionit të ushtrisë serbe në Kosovë. Mes të tjerave është ruajtur shënimi i bisedës me një çetnik serb “…And what are jou doing now in Ferizovic, among the Albanians? – I ask. – Roasting chickens and killing Arnauts. But we’re tired of it – he adds with a yawn, accompanying his words with a gesture of weariness and boredom…”[6]
Përfundim i jurisdikcionit 70 vjeçar serb mbi Kosovën
A thua duhet që shqiptarët e Kosovës, të cilët nuk kanë hyrë në Serbi me vullnetin e tyre as me përcaktim të lirë, por me dhunë, të jenë gjithmonë shtetas të saj, qoftë edhe nëse vazhdimisht, të gjitha gjeneratat e shqiptarëve në këtë shekull kanë përvoja negative me regjimet serbe? A mund të ketë mandat të përhershëm Serbia mbi territoret që i ka fituar pas Luftës së Parë Botërore apo ai mandat i nënshtrohet revizionit? Nëse Serbia pas një jurisdiksioni 70 vjeçar mbi Kosovën nuk ka arritur (për shkak se njëkohësisht ka pasur apetite joreale ta gëlltitë tërë Jugosllavinë apo sepse regjimi komunist i Titos më vonë e pengoi këtë) etnikisht ta kolonizojë Kosovën, sepse sot raportet demografike janë edhe më të pavolitshme se më 1918 (atëherë shqiptarët përbënin rreth 65% të popullatës kosovare, e sot janë rreth 90%) a thua Evropa e re do t’i japë përsëri rast Serbisë ta ‘përmirësojë’ këtë lëshim të vetin, aq më parë që kolonizimi i Kosovës dhe shpërngulja e shqiptarëve janë qëllime publikisht të deklaruara të Serbisë? (Shkruar në mars 1992).
(Ese nga libri i Shkëlzen Maliqit Shqiptarët dhe Evropa” i botuar në vitin 1994.)