Rastit të zbardhjes së vrasjes së të miturit Aulon Zeka i ka ardhur fundi. Nesër trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për të Mitur, do të mblidhet për të dëgjuar fjalën përfundimtare të të gjitha palëve të përfshira në këtë rast.
Lajmin për Periskopin e ka bërë të ditur mbrojtësi i familjes Zeka, avokati Skender Musa. Sipas tij, javën e ardhshme do të jepet aktgjykimi ndaj të dyshuarve të këtij rasti.
“Nesër fjala përfundimtare e palëve pas tri katër ditëve shpallet aktgjykimi”, është shprehur avokati Musa.
Seanca ndaj të dyshuarve do të nis nesër në ora 9:00.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, Departamenti për të Mitur i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka propozuar dënim me burgim për dy të mitur, G.H dhe R.G., si të dyshuar për vrasjen e Aulon Zekës.
Ndryshe, 16 vjeçari Aulon Zeka është gjetur i vdekur në mëngjesin e 15 shtatorit të vitit të kaluar rreth orës 11:00, në rrugën “Gjon Sereqi” në Prishtinë. I ndjeri ishte qëlluar me katër plumba në trup.