Dialogu Kosovë-Serbi ka marrë kahje tjetër nga momenti kur fillimisht diplomatë amerikanë filluan të deklarojnë se SHBA nuk ka vija të kuqe sa i përket gjetjes së një zgjidhje për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi, e ku pasuan edhe deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, se Kosova dhe Serbia mund të pajtohen për një marrëveshje finale, përmes korrigjimit të kufirit.
Në fillim pati një ndarje në dysh në diplomacinë botërore sa i përket ksaj ideje, por më vonë të gjithë filluan të zbusin qëndrimet e tyre, përveç Gjermanisë së kancelares Angela Merkel, shkruan gazetametro.net.
Gjermania përmes deputetit të partisë së Merkelit, Peter Beyer, në Prishtinë i tha presidentit Thaçi se është kundër prekjes së kufijve, por Thaçi duket se nuk mundi të përmbahet, dhe ja tha në sy përfaqësuesit të Merkelit, se për Kosovën vendos presidenti i saj, dhe ai është president.
Se Gjermania ka ngelur e vetme kundër kësaj idje, e thotë edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Dacic.
I pyetur për deklaratën e deputetit gjerman Beyer në Beograd, se Serbia duhet ta njohë Kosovën, Dacic ka thënë se edhe Gjermania duhet të jetë në gjendje ta kuptojë kontekstin para se ta kërkojë këtë.
“Gjermania vazhdon të këmbëngulë që çështja e Kosovës të zgjidhet, se nuk ka ndryshim të kufijve. Ne gjithmonë i përgjigjemi duke i ripyetur për kufijtë e Serbisë. Për dhjetë vjet ata na kanë thënë se ne duhemi të bëjmë diçka, ne nuk duhet, ne duhet të marrim një vendim, por ky vendim duhet të bazohet në interesat tona shtetërore. Vucic tha se ne jemi të gatshëm për një kompromis, por me kusht që dialogu të arrijë një zgjidhje në interes të popullit serb dhe shqiptar “, tha Dacic.
Siç tha ai, kur u përmend ideja e “kufirit”, u rrit pluhuri në skenën ndërkombëtare, ku Gjermania mbeti e vetmuar.
“Në skenën ndërkombëtare ka ndryshuar dhe se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja dhe vendet e tjera të mëdha mbështesin idenë se dialogu vjen me një zgjidhje, bazuar në parimet që do të jetë e pranueshme për të dy, për Beogradin dhe Prishtinën”, ka thënë Dacic.
Ai shtoi se në Prishtinë ekziston një “teatër në shtëpi” ku “dikush pranon diçka, tjetri nuk e pranon”.
I pyetur nëse Serbia do të heqë dorë nga BE, sa i përket Brexit dhe mosmarrëveshjes që ekziston midis Brukselit dhe Hungarisë dhe Italisë, Dacic thotë se Serbia nuk do të heqë dorë.
“Ne nuk jemi Norvegjia dhe Zvicra në mënyrë që të themi se ne nuk kemi nevojë për BE. Dhe Islanda hoqi dorë nga kandidatura e saj, por këto janë vende të zhvilluara ekonomikisht që nuk kanë nevojë për këtë komunitet. Në këtë drejtim, Serbia është në një interes të ndryshëm, por pëër shkak se jemi për integrimet evropiane do të thotë se shkelim interesat tona kombëtarë. Ne duam të vazhdojmë dialogun, por nëse nuk rezulton, kjo nuk do të thotë se Serbia do të njohë veprimet e njëanshme të Prishtinës, “tha Dacic. /gazetametro.net