Loading…

Memorialet në shënjestër e pa mbrojtje institucionale, vandalizohet edhe kompleksi ‘Zahir Pajaziti’

  • 08/07/2026 | 21:28

Memorialet në shënjestër e pa mbrojtje institucionale, vandalizohet edhe kompleksi ‘Zahir Pajaziti’

Rastet e vandalizmit të komplekseve që lidhen me historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të mbeten temë diskutimi në vend. Të mërkurën u njoftua se edhe kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës është dëmtuar, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Kosovës, shkruan Gazeta Metro.


Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informatës dhe kanë konstatuar dëmtime në objektin përcjellës të kompleksit.

“Njësitet policore, pas pranimit të informatës, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në objektin përcjellës – në kullë – kanë vërejtur disa dëmtime nëpër tavan dhe në korridorin e objektit. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.

Pas këtij rasti ka reaguar ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka dënuar ashpër dëmtimin e memorialit, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj historisë dhe kujtesës kolektive të Kosovës.

“Sot u njoftuam për dëmtimin e Kompleksit Memorial ‘Zahir Pajaziti’. Dëmtimi i komplekseve memoriale të dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës nuk është vetëm vandalizëm, por sulm ndaj kujtesës kolektive, ndaj historisë sonë dhe vetë themeleve mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Ai theksoi se memorialet janë simbol i sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe se sulmet ndaj tyre janë të papranueshme.

“Këto memoriale nuk janë gurë e beton, por dëshmi e sakrificës së atyre që dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Kush ngre dorë mbi to, le ta dijë që po ngre dorë mbi dinjitetin e shtetit tonë”, ka deklaruar ai.

Hoti ka shprehur shqetësim edhe për shtimin e rasteve të ngjashme, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë ato me seriozitet maksimal.

“Raste të tilla të shpeshtuara së fundmi, si rasti i sotëm i Kompleksit Memorial ‘Zahir Pajaziti’, janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet e drejtësisë”, ka theksuar ministri në detyrë.

Në fund, ai kërkoi identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, duke shtuar se nuk duhet të ketë tolerancë ndaj akteve të tilla.

Latif Gashi, ish-deputet i PDK-së, ka reaguar pas dëmtimit të Kompleksit Memorial Kompleksi Memorial Zahir Pajaziti, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të turpshëm, të papranueshëm dhe çnjerëzor. Ai ka publikuar edhe fotografitë brenda objektit.

Ai ka thënë se sulmet ndaj memorialeve nuk janë vetëm dëmtime të objekteve fizike, por edhe sulme ndaj kujtesës historike, sakrificës së dëshmorëve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.

Sipas Gashit, mungesa e sigurisë, mirëmbajtjes dhe kujdesit institucional në komplekset memoriale ka krijuar kushte që ato të mbeten të pambrojtura dhe të degradohen.

Ai ka theksuar se institucionet shtetërore kanë detyrim ligjor, moral dhe kombëtar për ruajtjen e këtyre monumenteve, duke shtuar se respekti për dëshmorët duhet të dëshmohet përmes mbrojtjes dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të vendeve që përjetësojnë veprën e tyre./gazetametro.net

Agjencia për Menaxhim të Monumenteve kërkon hetime pas dëmtimit në Kompleksin “Zahir Pajaziti”

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë