Dje kryeministri serb Aleksandar Vucic deklaroi se “shërbimet serbe të inteligjencës kanë gjetur gjurmë të veprimit të një shërbimi të huaj me agjencitë nga Tirana dhe Prishtina në aksionin e koordinuar në projektin e Shqipërisë së Madhe”.
Mediat serbe shkrujanë se duke marrë parasysh gjendjen e gjithëmbarshme të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, qysh shumë moti kjo hapësirë është interesante për agjencitë e inteligjencës. Përveç shërbimeve të njohura botërore siç janë CIA, MI6, BND dhe FSB, gjithnjë është më e rëndësishme prania e strukturave turke, sidomos pas grusht shtetit të dështuar kundër Erdogan’it, përcjellë gazetametro.net.
“Interesi i strukturave të inteligjencës turke për këto hapësira papritmas u rrit pas grusht shtetit të pasuksesshëm kundër Recep Tayyip Erdogan’it. Për të forcuar fuqinë e vet, Erdogan’i nisi betejën me përkrahësit e imamit Fetulah Gulen, i cili është prezent në Kosovë dhe përreth, nëpërmes të shkollave të veta”.
“Në mes tjerash, edhe djali i presidentit kosovar Hashim Thaçi gjendet në mes të fëmijëve nga familjet e politikanëve dhe biznesmenëve kosovar të cilët shkollohen në këto shkolla”.
“Dijanet, Drejtorati turk për çështje fetare, paralajmëron në afërsinë e politikanëve kosovar dhe përkrahësve të Gulen’it, për çka lidhen shumë donacione të “dyshimta”. Kështu, sipas raportit të tij, kryetari i Lipjanit Shukri Buja e ka bartur të drejtën pronësore të tokës komunale në Institutin Arsimor “Gulistan”, i cili në atë tokë e ndërtoi Akademinë “Mehmet Akif”. Ngjashëm është shënuar në Prizren, ku kryetari i komunës Ramadan Muja ia fali 50.000 metra katrorë tokë organizatës së njëjtë”, shkruan ndër të tjera Telegraf.rs.
“Kur janë në pyetje informatat të cilat kanë “rrjedhë” nga shërbimet serbe të inteligjencës, agjentët turk aktivisht po marrin pjesë në krijimin e projektit “Shqipëria e Madhe”, dhe duhet pasur parasysh se Ankaraja dëshiron të kontrollojë atë regjion, gjegjësisht të jetë e sigurt se nuk ka kundërshtarë të regjimit të Erdogan’it”, ka thënë për Telegraf.rs, Bozidar Spasic, ish shef i sektorit famëkeq të Sigurimit Shtetëror serb.
“Ata dëshirojnë të shuajnë ndikimin e Gulen’it në Kosovë, Maqedoni Perëndimore dhe në pjesët e Shqipërisë”, thotë Spasic.
Ai thotë se agjentët turk tani “po i rekrutojnë njerëzit në Kosovë dhe në Maqedoni Perëndimore”.
“Ata nën petkun e trajnimeve dhe udhëtimeve turistike të ndryshme shkojnë në bazat e inteligjencës dhe policisë turke dhe atje përgatiten për veprime të ardhshme në Kosovë’, pretendon kryespiuni i UDB’së serbe.
“Mirëpo, kur flitet për ndikimin e Turqisë në këtë rajon, nuk duhet harruar se ky vend është anëtare e NATO’s, dhe se roli i Ankarasë do të jetë gjithnjë e më i madh”, përfundon ai. /gazetametro.net