Loading…

Me vizita dhe përkulje nuk zbardhet fati i të pagjeturve

  • 16/12/2016 | 16:47

Me vizita dhe përkulje nuk zbardhet fati i të pagjeturve

Shoqata e të Zhdukurve “Përkora” në Podujevë, përkuljen e presidentit të vendit para lapidarëve të serbëve, nuk e sheh si zgjidhje për këtë çështje, shkruan Gazeta Metro.


Përmes një komunikate për media, kjo shoqatë ankohet se është bërë pak ose fare në gjetjen e të zhdukurve nga Kosova. Me vizitat dhe përkuljet e presidentit para lapidarëve serbë, kjo shoqatë thotë se nuk zgjidhet çështja e të zhdukurve.

Reagimi i plotë nga Shoqata “Përkora”:

Kohëve të fundit Presidenti i  Republikës së  Kosovës, i shoqëruar nga  zyrtarë të lartë shtetërorë, po bëjnë homazhe dhe po përkulen para lapidarëve të serbëve të vrarë gjatë luftës së fundit në disa vendet të Kosovës.

Dhe tërë ky turne i homazheve presidenciale nëpër pllaka e lapidarë të serbë të vrarë, madje edhe në rrethana të pasqaruara siç është ai i rastit “Panada” në Pejë, me të drejtë ka zgjuar edhe reagime të qytetarëve e veçmas të familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës.

Krahas vizitave e përkuljes pranë lapidarëve të serbëve të vrarë, presidenti shfrytëzon rastin edhe të përmend pajtimin në mes serbëve dhe shqiptarëve. Dhe këtë pajtim synon ta fillojë mbi kurrizin dhe fatkeqësinë e kategorisë së qytetarët që pësuan më së shumti në luftë, e këto janë  familjet e të zhdukurve.

Pa dashur të nënçmoj edhe vuajtjet e dhimbjen e familjeve të serbëve të zhdukur, opinionit duhet t’i bëhet me dije se janë pikërisht serbët dhe aparati i tyre shtetëror i Serbisë i instaluar në veriun e shtetit, president i të cilit është Thaçi, që edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës nuk po lejojnë  hapjen e varrezave të dyshuara  në Mitrovicë. Zvarritet me vite hapja e varrezave masive nëpër Serbi. Pra janë serbët ata që pengojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Presidenti duhet ta dijë se me vizita dhe përkulje para lapidarëve të serbëve të  vrarë, Serbia kurrë nuk do të lejoje zbardhjen e fatit të  personave të zhdukur. Me këtë veprim, duke u përkulur para pllakave ku UÇK-ja cilësohet si organizata terroriste, Presidenti sikur po pranon mbi supe fajësinë për viktimat serbe. Skandaloze.

Mund edhe ta kuptojmë presionin ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës, por nuk mund të kuptohet e as arsyetohen veprimet e udhëheqësve tanë shtetëror, të cilat mbyllin sytë përballë krimeve serbe.

E harruan gjenocidin mbi popullatën e tyre. Vrasjet, kidnapimet, dhunimet, të  zhdukurit (ende nuk është zbardhur fati 99 fëmijëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës).

Serbia dhe zyrtarët e saj shtetëror, asnjëherë nuk i përmendën krimet e kryera nga aparati i tyre shtetëror. Asnjë zyrtar serb nuk u përkulë para varreve të shqiptarëve të vrarë. As nuk pranuan përgjegjësinë.

Prandaj, para se të vazhdoni karvanin përkujtimor dhe të përkuljeve tek lapidarët me mbishkrimet ku cilësohet UÇK-ja terroriste, bëjeni një pauzë. Dhe meqë ju nuk mund të bëni asgjë përveç homazheve, të paktën insistoni në presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë për zbardhen e fatit të personave të zhdukur.

Bëjeni këtë udhëheqës të këtij vendi, para se familjarët e të pagjeturve një ditë të vijnë dhe të hedhin lule e të bëjnë homazh para institucioneve që ju drejtoni.

Latif Mehmeti, kryetar i Shoqatës së të Zhdukurve “Përkorë” Podujevë/gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë