Çdo të martë në M’club, mund të shikoni filma që nuk mund t’i gjeni lehtë. Një vend modest, hapësirë jo shumë e madhe, në M, siç pëlqejnë ta quajnë, është vendi ku takohen artistët e rinj të Prishtinës, kryesisht studentë te Fakultetit të Arteve të Prishtinës.
Pas shfaqjes së çdo filmi, fillon bashkëbisedimi, jo vetëm i artistëve por edhe i atyre që e duan filmin dhe artin në përgjithësi, shkruan gazetametro.net
Ilir Hasanaj, njëri ndër nismëtarët kryesor të këtyre takimeve, i cili ka mbaruar studimet për film në Zvicër, tha se këtu shfaqen filma që nuk mund t’i gjeni nëpër kinematë kosovare, dhe se njerëzit që vijnë këtu ndahen shumë të kënaqur me filmat që i shfaqim dhe debatet që pasojnë.
Se fundmi në këto takime ka qenë prezent dhe aktori Tristan Halilaj.
“Kudo që flitet për film është diçka e bukur. Unë besoj që këto iniciativa kanë me qenë inspirim dhe frymëzim që me vazhdu me bo më shumë për filmin”, u shpreh Hasanaj për gazetametro.net.
Hasanaj gjithashtu tha se njerëzit në Kosovë janë shumë pak të interesuar për filma që prodhohen në Kosovë, mungon mbështetja dhe gjithçka tjetër për këta filma, e kjo gjë nuk ndodhë në vendet e tjera.
Këto takime të artistëve të rinj janë shumë të rëndësishme, sepse kontribuojnë në zhvillimin e artit dhe ideve që i kanë studentët, por u mungon hapësira dhe vendi ku t’i shfaqin ato, thotë për Gazetën Metro, Florent Kurtalani student i Dramaturgjisë në Fakultetit të Arteve.
“Kjo nisje e takimeve na ndihmon shumë të zhvillojmë ide dhe socializohemi e njihemi më mirë mes vete, diçka që fakulteti nuk na mundëson”, shtoi më tej Kurtalani.
Edin Alija, student i vitit të tretë në Fakultetin e Arteve dega Regji, një djalosh shumë i talentuar dhe ambicioz për moshën që ka, ishte njëri nga studentët që shfaqi filmin personal ‘Fatalisti’, në njërën prej të marteve kur këta filmdashës takohen.
‘Fatalisti’ i Alijat, një film i metrazhit të shkurtër që flet për karakteret e qytetit ku ai jeton, Prishtinës, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, që nxiti pyetje dhe debat për filmin.
Alija i sheh si shumë të domosdoshme këto takime, që zhvillojnë dhe i jepni jetë idesë për film, sidomos tek artistët e rinj.
“Këtu vinë njerëz të rendomë, që e dashurojnë filmin, ata njihen më punën dhe sfidat që përballemi ne si artistë të rijnë, e ku pothuajse çdo projekt e bëjmë me vetë-financim. ” përfundoi Alija./gazetametro.net