Loading…

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, eksperti: Njëra ndër arsyet është vizita e njeriut të Putinit në Serbi

  • 23/02/2022 | 18:34

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, eksperti: Njëra ndër arsyet është vizita e njeriut të Putinit në Serbi

Zyrtarë nga presidenca e Kosovës kanë njoftuar se të mërkurën në mbrëmje do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës.


Kjo, për të diskutuar për situatën e re që është shkaktuar në botë si pasojë e tensioneve në mes të Rusisë dhe Ukrainë.

Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thirrja e kësaj mbledhje nga krerët e vendit tregon se institucionet kanë marrë veprime konkrete në lidhje me gjendjen e sigurisë në vend.

“Thirrja në këtë situatë që është duke kaluar Evropa pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, tregon që institucionet kanë marrë veprime konkrete mbi statusin e gjendjes së sigurisë në vend”, është shprehur ai.

Ai në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se ky takim kontribuon në marrjen e vendimeve politike.

“Takimi sot do t’i kontribuojë Qeverisë dhe Presidencës në marrjen e vendimeve politike për të garantuar lëvizje pozitive operacionale të institucioneve të sigurisë së vendit”, shtoi ai.

“Këshilli i Sigurisë së Kosovës, paraqet një ndër mekanizmat bosht të sigurisë. Rëndësia e tij është po aq e madhe sa të vlerësojë gjendjen e sigurisë në Republikën e Kosovës, të rekomandojë dhe të këshillojë institucionet e vendit lidhur me kërcënimet dhe rrezikshmëritë e mundshme”.

Ndërkaq, mediat pro-qeveritare në Serbi kanë raportuar se oficeri i parë i inteligjencës së Kremlinit, Nikolai Patrushev, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, do të vizitojë Beogradin më 28 shkurt.

Sipas këtyre raportimeve, që kanë arritur edhe në mediat ndërkombëtare, Patrushev do të bisedojë me zyrtarët serbë për pretendimet se “mercenarët” nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina “do të luftojnë në Ukrainë kundër palës ruse”.

Andaj, Shala thotë se një ndër arsyet e mbledhjes së këtij këshilli, është pikërisht edhe vizita e Patrushev-it në Beograd.

“Siç dihet edhe vizita e Sekretarit të Sigurisë kombëtare të Rusisë në Beograd ka rritur ndjeshëm observimin e lëvizjeve brenda territorit të Kosovës nga ana e institucioneve të sigurisë së Kosovës”, ka thënë Shala.

Rusia tashmë ka njohur dy shtete brenda territorit të Ukrainës, ndërsa Perëndimi po e akuzon për nisje të luftës.

Shtetet perëndimore veçse kanë vendosur për sanksione ekonomike ndaj Rusisë.

Në disa raste presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për shpalljen e dy shteteve ka përmendur rastin e Kosovës duke bërë krahasime.

Të martën, objekti i Qeverisë së Kosovës u mbulua me ngjyrat e flamurit të Ukrainës si shenjë solidarizimi. Kryeministri Albin Kurti u shpreh se “historia i favorizon të drejtët”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë