Loading…

Mbahet ‘Mirëdita, dobar dan!’, edhe pas thirrjeve antishqiptare

  • 01/06/2017 | 09:08

Mbahet ‘Mirëdita, dobar dan!’, edhe pas thirrjeve antishqiptare

Me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë” në sfond, është hapur edicioni i katërt i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd.


Pjesëtarë të organizatës djathtiste serbe “Zavjetnici” rreth një orë para hapjes zyrtare të festivalit kanë mbajtur një protestë në hyrje të objektit të Qendrës Rinore, duke u bërë thirrje institucioneve shtetërore që ta ndërpresin këtë festival, i cili, sipas tyre, “promovon terroristët dhe të ashtuquajturin shtet të Kosovës” (për këtë “mikpritje” të pritshme në Beograd, siç e e formuloi incidentin e mbrëmshëm një portal i Kosovës, Koha.net raportoi mbrëmë).

Publiku u fut në sallë, ku aktori kosovar Alban Ukaj në gjuhën serbe dha një performancë. Kishte planifikuar që në skenë të ngjitej për të recituar një poezi, por protesta që zuri vend pak para hapjes së festivalit e kishte shtyrë që të hiqte dorë nga recitimi i vargjeve.

“Njeriu këndon pas luftës”, është poezi e poetit serb Dushan Vasilev, e recituar shumë herë nga aktori i madh Bekim Fehmiu, mbi frymën dhe në kujtim të të cilit tre vjet më parë u organizua “Mirëdita, dobar dan!”

Kushtrim Koliqi, udhëheqës i organizatës “Integra” në Kosovë, e cila është bashkorganizatore e festivalit, ka thënë se me gjithë reagimet e ndryshme, kjo ngjarje po vazhdon traditën.

Anita Mitiq, drejtoreshë e organizatës “Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut” në Beograd, njëherësh një prej organizatorëve të festivalit, ka thënë se ajo që ka rëndësi në këtë mes është që artistët kosovarë po arrijnë që artin e tyre ta paraqesin në Beograd dhe të trajtojnë tema për të cilat politikanët e të dyja vendeve nuk po arrijnë të bisedojnë.

“E pranojmë se Serbia ka probleme të shumta. Këtë e tregon edhe prania e 15 personave të cilët protestojnë kundër takimit tonë, takimit kulturor, por në fund të fundit të gjitha i bëjmë për të gjithë, e edhe për ta. Për punën tonë të përbashkët flet shumë fakti se për herë të parë ish-presidentja Atifete Jahjaga do të flasë për problemet e femrave, gratë, të cilat janë viktima të dhunës gjatë luftës. Kjo është mënyra e vetme se si mund të ecim drejt progresit dhe drejt Evropës”, ka thënë Mitiq.

Jahjaga do të jetë e pranishme në Beograd të premten në promovimin e librit “Unë dua të dëgjohem”, i cili sjell rrëfimet e dhjetë grave viktima të dhunës seksale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shfaqja e filmit “Shok” ishte njëra prej pikave në natën hapëse të festivalit. Ky film, nën regji të Jamie Donoghue, i cili shënoi moment historik për kinematografinë kosovare vitin e kaluar kur u nominua për çmimin “Oscar”, trajton pikërisht temën e luftës së fundit në Kosovë.

Dhuna është trajtuar edhe në performancën e Fitore Berishës. “Revolta kundër dhunës”, është rebelim kundër pabarazisë dhe dhunës në përgjithësi ndaj qenies njerëzore.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë