Projektligji i ri i Ministrisë së Drejtësisë për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të ndikojë në fuqizimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Këto komente, Ministrja e Drejtësisë i bëri në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë e ku morën pjesë edhe zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, ambasadori amerikan Greg Delawie, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova si dhe përfaqësues të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Në koordinim dhe konsultim me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, dhe me mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtar, kemi hartuar draftin e Projektligjit për përgjegjësinë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, sipas të cilit Zyra për Përgjegjësi Disiplinore parashihet të jetë si organ i pavarur i administratës shtetërore nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë që të sigurohet funksionimi dhe efikasiteti i saj në mënyrë të pavarur” ka thënë ministrja Hoxha.
Hoxha ka thënë më tej se kjo i ndihmon procesit të balancimit të pushteteve, veçmas sa i përket kësaj çështje të hetimit dhe vendimmarrjes për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Ministria e Drejtësisë dhe unë si Ministre jemi thellësisht të përkushtuar që organeve të cilat merren me zbatimin e ligjit t’u mundësohet infrastrukturë adekuate ligjore që puna e tyre të jetë sa me efikase dhe efektive si dhe krahas kësaj të ngritët niveli i performancës së institucioneve të drejtësisë, dhe krahas kësaj edhe ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies si çështje kyçe të cilat do të ndikojnë edhe në rikthimin e besimit të qytetarëve tanë në institucionet e drejtësisë”, theksoi ministrja Hoxha.
Sistemi i disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve krahas çështjeve të tjera që janë ndryshuar së fundmi, siç është buxheti, vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe çështje të tjera janë në funksion të kësaj. Në këtë drejtim, çështja e disiplinimit të gjyqtarëve përkatësisht prokurorëve dhe veçmas hetimi për shkelje disiplinore, është vlerësuar si njëra nga çështjet e rëndësishme.