Përmes kësaj marrëveshjeje do t’i mundësohej marrja e pensioneve pensionistëve dhe invalidëve të Kosovës, raporton Koha.net.
Qeveria Federale zvicerane pati vendosur në vitin 2009 se nga data 1 prill 2010, të mos vazhdojë me zbatimin e marrëveshjes për sigurimet sociale me Kosovën, marrëveshje kjo e arritur me ish-Jugosllavinë. Që nga ajo kohë, Kosova pati mbetur i vetmi trashëgues i Jugosllavisë pa marrëdhënie për sigurime sociale.
Shtetasit kosovarë, që jetojnë jashtë Zvicrës, nuk kanë marrë pensionet zvicerane AHV dhe IV. E kjo [marrëveshje] ka për qëllim që ta rikthejë sërish marrëveshjen e mëhershme në fuqi.
“Marrëveshja do të përfshijë edhe një nen për ndihmë të dyanshme në luftën e keqpërdorimit të sigurimeve. Pensionet e shtyllës së dytë paguhen edhe jashtë vendit, pavarësisht ekzistimit të marrëveshjes”, ka thënë Qeveria Federale zvicerane, raporton Koha.net.
Ndërkaq, ky Qeveria Federale e Zvicrës bën me dije gjithashtu se për të hyrë në fuqi marrëveshja, duhet miratimi i dy parlamenteve, dhe janë procedura që mund të zgjasin deri në 3 vjet.
“Marrëveshja në fjalë fillimisht duhet të aprovohet nga parlamentet e të dyja shteteve. Mund të zgjas dy deri në tre vjet të hyjë në fuqi. Janë rreth 112,000 kosovarë që jetojnë në Zvicër”, ka thënë Qeveria Federale zvicerane.
Më tej, Qeveria Federale zvicerane thotë se Kosova, nga viti 2010, e ka përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme legjislacionin në fushën e sigurimeve sociale dhe ka ndërtuar infrastrukturën e duhur.