Lideri i BDI, Ali Ahmeti ka deklaruar se nuk do të dëshpërojë shqiptarët me vendimin se me kend do të hyjë në qeveri të Maqedonisë.
Mirëpo, ai nuk ka precizuar se a do të jetë zgjidhja e tij VMRO DPMNE apë Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (SDSM).
Në intervistën dhënë televizionit Alsat M, Ahmeti ka thënë se ende nuk ka asnjë negociatë me liderët e dy partive të cilat kanë fituar më së shumti mandate, Nikola Gruevski’n e VMRO DPMNE dhe Zoran Zaev’in e SDSM.
Ju them të gjithë shqiptarëve në Maqedoni se nuk kanë arsye për frikë. Vendimi përfundimtar do të jetë pasqyrë e dëshirës së shumicës së qytetarëve shqiptarë, për shkak se BDI kurr nuk ka marrë ndonjë vendim kundër dëshirës së popullit të vet”, ka thënë Ahemti.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Maqedonia të mbetet pa qeveri, nëse nuk pranohen kërkesat e tijë për avancim të të drejtave të shqiptarëve.
Ahmeti ka theksuar se te partitë maqedonase duhet që sundojë arsyeja, sepse alternativa më e dëmshme është që vendi të mbetet pa qeveri.
Ai shtoi se është vendimtare se kush do të pranojë kërkesat që kryetari i Kuvendit të jetë shqiptar, që gjuha shqipe të jetë gjuha e dytë zyrtare në të gjithë territorin e vendit, që Prokuroria speciale për përgjime të jetë kategori kushtetuese, të lirohen të gjithë të burgosurit politik, si dhe kërkesën për shpërndarje të barabartë të buxhetit dhe përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në të gjitha institucionet.
Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të dy partitë më të mëdha, VMRO DPMNE dhe SDSM, kanë paralajmëruar se do të formojnë qeverinë, por pasiqë asnjë parti nuk ka mandate që këtë të bëjë vet, ata llogarisin në koalicione me partitë shqiptare në Maqedoni.