Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi, pasi arriti sukses të madh në ekipin e Mallorcas, duke u bërë lojtari me më së shumti gola të shënuara. E për këtë e ka brohoritur edhe vetë ekipi i Mallorcas, duke publikuar një video pas fitores kundër Rayo Vallecano, përcjell Gazeta Metro.
Në këtë video, Muriqi shprehet falënderues për ekipin, duke thënë se është krenar me veten e tij për suksesin që ka arritur.
“Shumë krenar me veten. Kam thënë që nga dita e parë se dua të jem një nga legjendat e klubit, që nuk dua të ndalem këtu, dua të vazhdoj. Që nga dita e parë ndjeva diçka ndryshe për këta njerëz, ishullin, klubin… për shumë më shumë histori me këtë klub”, ka thënë Muriqi.
Sulmuesi kosovar realizoi dy gola ndaj Rayo Vallecanos në javën e 31-të, duke vulosur fitoren dhe njëkohësisht duke thyer një rekord historik për klubin spanjoll.
Pas ndeshjes, festë e madhe shpërtheu, ku lojtarët dhe tifozët e Mallorcas festuan së bashku.
Në pamjet e publikuara nga klubi në rrjetet sociale, dëgjohet kori i tifozëve dhe bashkëlojtarëve që këndojnë në nder të sulmuesit shqiptar, duke i uruar Topin e Artë.