Ballkani nuk kishte qenë fare vend miqësor për anglezët gjatë vitit 2019, kur futbollistët me ngjyrë të Anglisë u përballën me thirrje raciste e tinguj majmunësh drejtuar ndaj tyre nga tifozëritë vendase të Malit të Zi dhe Bullgarisë. Krejt e kundërta e kësaj megjithatë kishte ngjarë në Kosovë, kur Anglia erdhi për të luajtur kundër djemve të Bernard Challandes, shkruan Gazeta Metro.
Gjatë mesit të nëntorit të vitit 2019, mijëra anglezë zbarkuan në rrugët e Prishtinës për të mbështetur Kombëtaren e Anglisë që do të luante kundër Kosovës në “Fadil Vokrri” në kuadër të eliminatorëve të Kampionatit Europian.
Ajo çka ata nuk dinin ishte mikpritja e paparë që do të merrnin nga vendasit, me një Prishtinë krejt të mbuluar nga flamujt bardhë e kuq dhe banerët që tregonin respekt për Kombëtaren e Anglisë.
Simon Peach, gazetar i mirënjohur anglez i cili mbulon klubin gjigant të Manchester United dhe Kombëtaren e Anglisë, e vizitoi Kosovën ato ditë dhe ajo çka përjetoi e kishte befasur tej mase.
Ai për Gazetën Metro ka treguar për ndjesinë që pati kur pa tërë atë mikpritje nga vendasit që kulmoi në natën e 17 nëntorit kur gjatë intonimit të himnit “Zot mbroje Mbretëreshën”, tifozët kosovarë u ngritën në këmbë dhe mbanin në duart e tyre nga një flamur anglez.
“Tabelat nëpër rrugë dhe shfaqja e flamujve para ndeshjes gjatë himnit kombëtar ishte e paharrueshme. Kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë në një vend pritës dhe dyshoj se do ta shoh më”, tha zoti Peach.
I pyetur se a befasua nga atmosfera në Kosovë pasi që futbollistët anglezë ishin përballur me thirrje raciste në Mal të Zi e Bullgari më herët, ai tha kështu: “Sinqerisht, po. Jo sepse prisja diçka të ngjashme, thjesht u mahnita nga pankartat pro-Anglisë dhe të ngjashme që mund të shihnit në qendër të qytetit.”
Every Kosovo fan holds up an England flag during the national anthem, while a giant ‘Welcome & Respect’ banner is shown behind the goal pic.twitter.com/Zc06PleZfr
— Simon Peach (@SimonPeach) November 17, 2019
Nga kjo mikpritje kishin mbetur të shtangur të gjithë mediat e huaja. Gazetat britanike ishin mbuluar me foto të pankartave në Prishtinë ku i urohej mirëseardhje lojtarëve anglezë, sidomos Raheem Sterling, Fabian Delph e Marcus Rashford.
E gjithë mbrëmja u luajt në një atmosferë miqësie dhe mbështetjeje të paparë. Nuk kishte racizëm e as dhunë, por vetëm tifozë që kishin shkuar në stadium për të mbështetur shtetin e tyre.
Peach pati një mesazh edhe për tifozët e Irlandës Veriore që do të vijnë në Prishtinë gjatë qershorit për të mbështetur Kombëtaren e tyre në ndeshjen ndaj Kosovës.
“Ata do të kenë një pritje të ngrohtë, atmosferë të mirë, bare të këndshme dhe ushqim të mirë. Shpresoj që edhe ata të shijojnë një ndeshje të mirë”, tha Simon Peach për Gazetën Metro.
Ndeshja mes Irlandës Veriore dhe Kosovës do të zhvillohet në Prishtinë më 9 qershor. Kjo sfidë është në kuadër të Nations League, grupit të dytë në Ligën C, ku marrin pjesë Kosova, Irlanda Veriore, Greqia dhe Qipro./gazetametro.net