Ish-Kryeministri shqiptar Pandeli Majko e quan gabim propozimin e Akademikut Rexhep Qosja për shkëmbim territoresh me Serbinë.
“Rexhep Qosja padyshim është një cilësi e pandryshueshme kombëtare. Propozimin e tij për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj të gabuar”, është deklaruar Majko, transmeton gazetametro.net.
“Historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare. Ato janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare kombëtare. Kufiri është serioziteti i cdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar Majko në rrjetin e tij social Facebook, transmeton gazetametro.net.
“Hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm. Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Cfarë duan shqiptarët!?””.
“Pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerr të humbur palën që e nxit atë”.
“Me respektin maksimal për Rexhep Qosen, për një mik që koha nuk e ndryshon… Nga ai kam mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që nuk i nxjerrin humbës”, përfundon reagimin e tij Majko. /gazetametro.net.