Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura nga Sindikata e Pavarur rreth kërcënimit të fundit të drejtorit të përgjithshëm, Mentor Shala, ndaj punëtorëve të RTK-së dhe gjendjes së përgjithshme në transmetuesin publik, bën të ditur përmes një njoftimi Sindikata e Pavarur e RTK-së.
Përmes një përgjigje dërguar Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Zyra e zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian ka bërë të ditur se Lunaçek po e ndjek nga afër situatën dhe se ka në konsideratë letrën e sindikalistëve, me rastin e amendamentimit të draftit të Raportit Vjetor të Parlamentit Evropian për Kosovën.
Dëgjimi i dytë dhe votimi për raportin do të bëhet në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 28 dhe 29 shkurt.
Ditë më parë, drejtori i përgjithshëm, Mentor Shala, përmes një postimi në Facebook i ka kërcënuar dhe fyer punëtorët e tij me gjuhën më të ulët dhe denigruese duke i quajtur ‘baktere për të cilët ka antibiotikë’ dhe ‘punëtorë që nuk i hanë as qentë’.
Kryesia e Sindikatës këtë kërcënim e ka denoncuar në Polici pasi konsideron se antibiotikët që i përmend Z. Shala përdoren vetëm për një qëllim që t’i vrasin ose eliminojnë bakteret.
Ky është vetëm njëri nga rastet e kërcënimit dhe shantazhit ndaj punëtorëve, e veçanërisht ndaj përfaqësuesve sindikalë, pasi sindikata posedon edhe dëshmi të tjera të letrave kërcënuese të drejtorit gjeneral ndaj të cilave edhe ka reaguar publikisht disa herë.
Bordi i RTK-së si organ mbikëqyrës i transmetuesit publik ende nuk ka reaguar ndaj kërcënimit, fyerjes dhe gjuhës denigruese të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së ndaj punëtorëve.
Bashkangjitur kjo sindikatë ka postuar edhe përgjigjen e znj. Lunaçek, drejtuar SPRTK-së.