Loading…

Lumezi: Prokurori Blakaj nuk u dorëhoq për shkak të kërcënimeve

  • 16/08/2018 | 17:44

Lumezi: Prokurori Blakaj nuk u dorëhoq për shkak të kërcënimeve

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi në një intervistë ekskluzive për T7 ka thënë se Prokurori Elez Blakaj nuk është dorëhequr për shkak të kërcënimeve qoftë brenda prokurorisë apo jashtë saj. Sipas informacioneve të të parit të Prokurorisë së shtetit, akti i dorëheqjes nuk ka qenë për shkak të kërcënimit, por për shkak të angazhimit të tij në ndonjë detyrë tjetër.


Lumezi thotë se prokurori Blakaj kishte përgatitur një draft-aktakuzë për listat e fryera të veteranëve, të cilën e ka parë vetëm shefi i Blakajt, Reshat Millaku.

Drejtësia kosovare u trondit kur gjatë të mërkurës, Prokurori Elezj Blakaj, që po merrej me njërën nga dosjet më voluminoze që nga pas lufta dha dorëheqje.

Prokurori special që po trajtonte listat e fryera të UÇK-së, për të cilat dyshoheshin se kanë gisht komandat, politikanë, dhe përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta u largua nga kjo pozitë pas kërcënimeve.

Një ditë më pas ekskluzivisht për T7 rreth dorëheqjes së Blakajt ka folur Kryeprokurori i shtetit. Pretendimet se dikush mund ta kishte kërcënuar ish Prokurorin që të merret me këtë dosje po i hedh poshtë Aleksandër Lumezi.

“Sipas njoftimit të cilin e ka dhënë Blakaj ai nuk është tërhequr për shkak të kanosjes sepse ka qenë prokuror i vendosur dhe i pa korruptuar dhe i guximshëm. Sipas informacioneve të cilat i kemi nuk ka qenë akti i dorëheqjes për shkak të kërcënimit, por për shkak të angazhimit të tij në ndonjë detyrë tjetër”, ka bërë të ditur Lumezi.
Lumezi po ashtu thotë se prokurori Blakaj nuk kishte dorëzuar aktakuzë për listat e fryera të veteranëve, por vetëm një draft-aktakuzë.

“Elez Blakaj faktikisht e ka hetuar këtë çështje edhe ndërkohë ai e ka përgatitur një draft aktakuzë të cilën e ka shqyrtuar së bashku me kryeprokurorin e vet zotri Millakun. Mirëpo Kodi i Procedurës Penale respektivisht neni 156 e përcakton që çdo tre muaj ditë, prokurori I çështjes duhet të konsultohet me kryeprokurorin e vet dhe të konstatoj që a duhet të mbyllen hetimet apo duhet të ngritët akti akuzues.

E ka pasur një draft aktakuze e cila ju ka dorëzuar kryeprokurorit, por nuk është dorëzuar në gjykatë, se prokurori ka obligim që aktin akuzues në kopje të mjaftueshme të dërgoj në gjykatën kompetente dhe atëherë konsiderohet se është ngritur aktakuza në gjykatë.

Në këtë rast nuk kemi aktakuzë dhe konsiderohet që hetimet janë duke vazhduar dhe unë nuk di se cila ka qenë biseda mes prokurorit dhe kryeprokurorit”, ka thënë tutje Lumezi.
Kryeprokurori i Shtetit e mohon se Blakaj kishte pasur presion nga brenda prokurorisë që të jap dorëheqje.

“Unë nuk kam informacione që dikush nga prokuroria i ka thënë që të lëshoj punën unë nuk kam kësi informacione, por gjatë bisedës që unë e kam pas me Blakajn e ka bërë një paralajmërim që ndoshta edhe do të largohet nga sistemi prokurorial dhe të shikoj të gjejë ndonjë punë tjetër në institucionet vendore apo në ndonjë shtet të huaj. Unë nuk e kam parë aktakuzën dhe kam kërkuar nga prokuroria special që ta shoh dhe më kanë thënë që personi që është duke e zëvendësuar kryeprokurorin Millaku më ka thënë se ai nuk e ka këtë aktakuzë dhe deri më tani nuk e kam parë”, ka shtuar kryeprokurori.

Lumezi po ashtu ka theksuar se Blakaj nuk ishte kërcënuar, por ishte i shqetësuar dhe kishte kërkuar përcjelle të fëmijëve të tij në shkollë nga Policia. Kryeprokurori nuk tregon nëse do të këtë arrestime të kërcënuesve të prokurorit tashmë të dorëhequr.

“Faktikisht prokurori nuk ka thënë kurrë se ato janë kërcënime, por ka qenë i shqetësuar lidhur me një kanosje që ka qenë lidhur me rastin e imamit Shefqet Krasniqi deri se ka qenë në shqyrtimin kryesor gjyqësor. Dhe në bazë të këtij informacioni unë kam kërkuar nga drejtori I Policisë që të bisedohet dhe ti sigurohet mbrojtja. Ai nuk ka kërkuar mbrojtje por ka kërkuar që ti mbrohet fëmijët gjatë shkuarjes dhe kthyerjes nga shkolla dhe kjo është bërë nga policia. Ne do ta vlerësojmë që nëse ka pasur kërcënime së pari duhet të vlerësohet se ato thënje të cilat u janë drejtuar prokurorit Blakaj a paraqesin veprën penale të kanosjes sepse për të ekzistuar vepra duhet kanosja të jetë serioze dhe të krijohet ndjenja e pasigurisë ndaj personit tjetër që sulmi do të pasojë. Kemi pas edhe kërcënime edhe të mëhershme, por sa herë që kas pasur ndonjë kërcënim të ndonjë prokurori ai e ka paraqitur në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në këtë rast nuk kemi pas kurrfarë rasti në KPK për mbrojtën ose kërcënimin ndaj Blakajt”, ka thënë Lumezi.

E kush do ta zëvendësoj Blakajn për ti hetuar listat e fryera të veteranëve, ky thotë se ende nuk është vendosur.

“Ende nuk është vendosur se kush do të jetë prokurori sepse ne duhet të bëjmë një proces verbal mbi pranimin dhe dorëzimin e lëndëve të cilat i ka pas zotri Blakaj dhe të shohim në cilën fazë të procedurës gjinden ato lëndë dhe mandej kryeprokurori i Prokurorisë Speciale do të bëjë shpërndarjen e këtyre lëndëve”, bëri të ditur kryeprokurori.

Ndryshe, mediat sot kanë publikuar letrën e dorëheqjes, ku prokurori Elez Blakaj, ka përmendur faktin se kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, i kishte dorëzuar aktakuzën për listat e veteranëve të UÇK-së, por në Gjykatën themelore në Prishtinë kanë thënë se nuk është dorëzuar ndonjë aktakuzë në lidhje me listat e veteranëve të UÇK-së.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë