Trendi i mungesës së deputetëve në seanca plenare po vazhdon edhe në këtë legjislaturë. Që nga betimi i deputetëve, shumë seanca u shtynë e u ndërprenë. Mungesa e kuorumit disa herë shkaktonte pamundësinë e miratimit të ligjeve, gjë që është kritikuar vazhdimisht nga organizatat që monitrojnë punën e Kuvendit.
Njejtë ndodhi edhe gjatë seancës së djeshme ku seanca u shty shkaku i mungesës së kuorumit. Kryesuesi, Xhavit Haliti “kërcënoi” deputetët me heqjen e meditjeve nëse nuk marrin pjesë në vazhdimin e seancës.
Çka u vërejt ishte një numër i deputetëtve që edhe pse ishin në seancë, nuk merrnin pjesë në votim.
Njohësi i punës së Kuvendit nga KDI-ja, Artan Murati ka renditur disa arsye për mungesat e deputetëve në seanca.
Murati ka thënë për lajmi.net se njëra nga shkaqet është edhe humbja e durimit nga seancat e stërngarkuara dhe të gjata.
“Mungesat e deputetëve ndodhin për disa arsye. Seancat po janë të stërngarkuara me pika të rendit të ditës dhe deputetët po e humbin durimin edhe pse nuk do të duhej të ndodhte, pasi do të duhej të ishin në seancë pasi tek e fundit atë punë e kanë. Pra disa deputetëve nuk po iu qëndrohet gjatë në seancë”, ka thënë Murati.
“Arsyeja tjetër pse po ndodh ndoshta ndonjëherë mund të jetë edhe e qëllimshme, bllokimi i ndonjë ligji ose mospjesëmarrja në votim, mund të jetë edhe veprim politik të cilën një grup parlamentar e konsideron si të nevojshëm për ta marrë në mënyrë që të mos mund një ligj i caktuar të miratohet”, thotë tutje njohësi i punës së Kuvendit për lajmi.net.
Por për dallim nga legjislaturat e kaluara, Artan Murati ka parë avancime në punën e Komisioneve Parlamentare.
Ai ka bërë të ditur se në këtë legjislaturë mbledhjet e Komisioneve Parlamentare po zhvillohen në kohën e paraparë, shkruan lajmi.net
“Mungesa e kuorumit ka qenë njëra nga problemet më të mëdha me të cilën është përballë Kuvendi viteve të kaluara, dhe kjo shpesh e ka bllokuar punën jo vetëm në seancë por edhe në komisionet parlamentare ku ka pasur mungesë të theksuar . Në këtë legjislaturë në komisione ka kuorum edhe në mbledhjet zhvillohen në kohën e parapri, mirëpo në seancë jo çdo herë deputetët po qëndrojnë deri në fund. Ose vetëm vijnë në fillim dhe pastaj dalin më herët”, ka deklaruar hulumtuesi i KDI-së.
Murati ka thënë se deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm për punën që e kanë.
Ai thotë se përkundër që deputetët kanë edhe angazhime tjera, puna në Kuvend duhet të jetë primare.
“Për zgjidhjen e këtij problemi, deputetët duhet ta dijnë dhe ta kuptojnë që janë përfaqësuesit të popullit dhe ta dijnë që përfaqësojnë interesat e tyre në Kuvend, pra do të tregojnë seriozitet dhe ta marrin si punë primare. Një numër i madh i deputetëve kanë edhe angazhime tjera mirëpo angazhim primar duhet të jetë në Kuvendin e Kosovës, dhe agjenda e tyre duhet të jetë puna në Kuvend”, ka përfunduar Artan Murati.
Ndryshe puna e Kuvendit është kritikuar qysh nga fillimi i kësaj legjislature.
Kjo pasi disa muaj pati krizë politike në vend, e pas zgjidhjes së saj Kosova hyri në fushatën e zgjedhjeve lokale, duke bërë që për një periudhë të gjatë të mos mbaheshin fare seanca.