Loading…

Llafe plot, punë hiç: Kurti ende me reputacion të njollosur në BE dhe SHBA

  • 03/06/2026 | 20:19

Llafe plot, punë hiç: Kurti ende me reputacion të njollosur në BE dhe SHBA

Raporti i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me SHBA-në dhe BE-në duket se ende nuk është përmirësuar aq sa për të pasur kredibilitetin e duhur nga sinjalet që po dalin nga Brukseli dhe Uashingtoni. I vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që SHBA nuk ka dërguar ambasador ende. Ndërsa Brukseli ishte më direkt se zakonisht se nuk kanë parë rezultatet e pritura dhe shumë përfolura, transmeton Gazeta Metro.


Kështu të paktën u pa pas deklaratave të ish-ambasadorit Jeffrey Hovenier dhe presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa. Në një intervistë për median serbe Kosovo Online, Hovenier tha se reputacioni i Kosovës ka pësuar goditje serioze, sidomos në periudhën e fundit, me zgjedhjet e vazhdueshme dhe bllokimin institucional. Ai theksoi se SHBA-të presin që qeveria e re, ndër të tjera, të luajë një rol në uljen e tensioneve, si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon.

“Unë besoj se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje serioze gjatë 16 muajve të fundit. E them këtë si dikush që ka investuar në marrëdhëniet SHBA–Kosovë për vite me radhë dhe për të cilin kjo marrëdhënie është shumë e rëndësishme. Megjithatë, zgjedhjet e përsëritura, dështimi për të zgjedhur një president dhe mbështetja në qeveritë e përkohshme kanë gërryer besimin në aftësinë e Prishtinës për të përmbushur disa nga detyrimet e saj”, tha ish-ambasadori amerikan.

Gjatë vizitës në Kosovë, Costa e bëri të qartë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE kërkon përkushtim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave të dakorduara.

“Në agjendën e reformave jemi pajtuar në procesin e anëtarësimit drejt BE-së dhe është shumë e rëndësishme që Kosova, hap pas hapi, t’i japë rezultatet e asaj për të cilën veçse jemi pajtuar”, tha Costa.

Tutje, Costa në konferencën për media ka dërguar një mesazh për liderët politikë me të cilët është takuar sot, duke theksuar se partneriteti me Bashkimin Evropian shoqërohet me përgjegjësi dhe angazhim konkret për reforma. Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend dhe zgjedhjeve të parakohshme që mbahen këtë të dielë, Costa tha se Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e saj.

“Kosova po shkon në zgjedhje këtë fundjavë dhe mesazhi im për të gjithë liderët politikë me të cilët u takova sot ishte i thjeshtë: partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e saj në vend të saj”, u shpreh ai.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma dhe për të përfituar nga mundësitë që ofron BE.

Ndonëse ka qenë mbështetësi më i madh i Kosovës, në vitet e fundit raportet Kosovë–SHBA kanë shënuar ftohje në nivelin e lidershipit politik, për shkak të moskoordinimit të Qeverisë së Kosovës me aleatët perëndimorë për disa vendime të brendshme.

Gjatë mandatit të qeverisë Kurti 2, Kosova u ndëshkua me sanksione si nga SHBA dhe BE për shkak të vepritmarisë unilaterale destabilizuese. Këto sanksione u hoqën vetëm pas kthimit në një status quo në Veri të vendit pas zgjedhjeve lokale ku partia serbeu kthye në pushtet dhe angazhimit në Dialogun për normalizim.  Pavarësisht heqjes së sanksioneve përparimi drejt euro-integrimit të Kosovës është theksuar se varet edhe nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë