Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, i shoqëruar nga nënkryetar, z. Arsim Haxhiu dhe shefi i kabinetit, Gani Sylaj, kanë pritur në takim ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, nga i cili kanë marrë konfirmimin për ndërtimin e shkollës profesionale në Komoran, ndërtimin e shkollës fillore në Fushticë të Lartë dhe ndërtimi i çerdhes në qendër të qytetit.
Lladrovci ka njoftuar ministrin Bajrami për gjendjen në arsim në Komunën e Drenasit dhe nevojat që ka kjo komunë.
Ministri Bajrami ka konfirmuar se gjatë këtij viti do të nisin punimet për ndërtimin e shkollës reprezentative në Komoran dhe vlera e investimeve do të jetë rreth 2 milionë euro, shkollë kjo profesionale e cila do të shërbej jo vetëm për nxënësit e Komunës së Drenasit, por edhe të nxënësve të komunave përreth.
Ai ka njoftuar po ashtu edhe për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Fushticë e Lartë, ndërtimi i një çerdhe në qendër të qytetit dhe do të ndihmojnë mësimdhënësit me trajnime profesionale për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënje.
Ministri Bajrami po ashtu ka thënë se do të investojnë në riparimin e objekteve shkollore dhe do t’i paisin me inventarizim dhe mjete të konkretizimit.
Të dy kanë vizituar edhe terrenin ku Ministria e Arsimit do të investojë për ndërtimin e çerdhes për fëmijët në Drenas./Gazetametro.net