Loading…

Lladrovci ka një incizim me të cilin shantazhon Thaçin e Veselin

  • 19/12/2016 | 23:29

Lladrovci ka një incizim me të cilin shantazhon Thaçin e Veselin

Polemikat mes Ramiz Lladrovcit dhe Jakup Krasniqit po vazhdojnë. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, i ka replikuar Lladrovcit duke pretenduar se ka një incizim me të cilin shantazhon Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Reagimin e tij e ka publikuar edhe në rrjetin social Facebook dhe aty pos Lladrovcit nuk le pa akuzuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.

Ish-kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se këta tre, përveç se e kanë keqpërdorur këtë fond, ata kishin shumë dallime mes vete “sa edhe UÇK-në e kishin bërë copa-copa”, ndërsa thotë se për këtë çështjen e fundit kishte ndikuar ai vetë që ta bashkonte.

Lexoni të plotë reagimin e Jakup Krasniqit në Facebook

A JU VJEN MARRE KUR NDËRSENI E GËNJENI?

Kandidati i Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit, për Kryetar Komune te Drenasit, qenka marrë goxha shumë me mua e Fatmirin, për çështjen e Fondit “Vendlindja Thërret”?! Këtyre njerëzve të pafytyrë duhet t’ua them se: Dy të parët dhe i treti, të merren vesh mes veti, se kush nga këta e mbajnë përgjegjësinë për ndarjen e Fondit në fjalë? Kush nga ata rrinin në Tiranë dhe me parat e kujt jetonin atje? Ku i merrte parat Ramiz Lladrovci? Ku i merrnin Hashimi e Kadriu? Kush nga ju i merrte parat nga Fondi i Zvicrës e kush nga ai i Gjermanisë? Madje në mes këtyre treve kishte dallime aq të mëdha sa edhe UCK-në e kishin bërë copa-copa. Këto copa kam arritur t’i bashkoj unë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri (pas kthimit nga Parisi). Ramizi besoj se nuk ka harruar se çfarë raportesh kishte me Xhavit Halitin dhe Azem Sylen në Tiranë. Raporte hiq më të mira nuk kishte as me Hashimin dhe Kadriun edhe shumë vite pas luftës. Pse ky anëtar i devotshëm i partisë i bëri lëvizjet nga PDK në AAK dhe përsëri në PDK? Çka u bë sot që u bëre bashkë me ata që i shantazheve gjatë? Dhe si duket nuk te shkoi bash huq!

Pas lufte kandidati për Kryetar te Drenasit (i PDK-es) i ka shantazhuar, Hashimin dhe Kadriun me një incizim. Ai duhet të tregoi, se çka përmbante ai incizim me te cilin i shantazhonte shefat e tij të sotme?! Madje ai duhet t’i tregoi opinionit, çka bëri pas luftës me parat e “Fondit Vendlindja Thërret”? A e ke blerë ndonjë banesë në Tiranë? Si u bëre biznesmen? Ke e akuzoje për futjen në “Listën e Zezë” të SHBA-së? Si e fitove pozitën e Ambasadorit? Ke e shantazhove për marrjen e asaj pozite? Pse e la postin e Ambasadorit, me të ardhura shumë më të mira, për pozitën e Kryetarit te Komunës? Pse nga qyteti ke rënë në fshat?

As unë e as Fatmiri, nuk kemi qenë asnjëherë pjesë e atij Fondi, kjo është një zbulim i ri i Ramizit pas 17/18 viteve. Gjithë kohën, para e gjatë luftës çlirimtare, kemi qenë në Kosovë. Në Shqipëri kam qenë vetëm pas kthimit nga Parisi. Për aktivitetin tim në Shqipëri, kush të dojë mund të informohet nga libri im: Kthesa e Madhe, botim i Shtëpisë Botuese Buzuku.

Kësaj që thoni për Fondin “Vendlindja Thërret” i thonë: “T’i them sa nuk me kanë thënë”. Por nuk është hera e parë që Hashimi e Kadriu i ndërsejnë njerëzit e pa integritet e dinjitet ndaj nesh! Nga njerëzit e tillë, Fatmir Limaj përndiqet që 13 vjet! Ku mbeti njerëzorja këtu?

I pyes Hashimin e Kadriun, pse e yshtni kundërshtarin tuaj goxha të madh te luftës e të pas luftës ndaj shokëve e bashkëpunëtorëve tuaj të ngushtë te luftës me te cilët e ndatë jetën e vdekjen dhe hëngrët shumë bukë në familjet tona! A frikësoheni se do t’u vret ajo bukë?! Nuk jeni vetëm Ju qe do t’u vret buka e popullit, gjaku i dëshmorëve dhe mundi i luftëtarëve! Popullin që i përvetësuat shumëçka në mënyrë të pa ligjshme po e leni me gishta në gojë! Drenicës në veçanti e kombit në përgjithësi ia keni qitur faqen e zezë! Drenicës i latë emër te keq! Emër që nuk e meriton. Drenasi është dëshmia më e mirë.

Kandidati nga PDK-ja do të duhej t’i dinte, raportet e vëllait të tij, Heroit te Popullit – Fehmi Lladrovcit me mua e Fatmirin jo vetëm gjatë luftës dhe raportet e Fehmiut me shefat e tij të sotëm?! Apo më të rëndësishme sot e ka që të jetë kandidat për Kryetar të Drenasit? Merresh me ne a në garë për kryetar je me Isa Xhemajlajn!

Sa për çështjet tjera rreth PDK-së, të thëna në emisionin “Rubikon”, nga ky person më 14 dhjetor 2016, mund t’i them: Te gjithë ju që kokorisni në atë parti te tjetërsuar skajshmërisht, jeni duke e grabitur gjithë aktivitetin tonë politike te investuar me shumë mund, dije e punë të pa kursyer. Për to nuk dua të flas. Pasi shumë kush e dine më shumë më mirë se unë!

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë