Lista Serbe nuk po merr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar për këtë pasdite e ku pritet të caktohet edhe zyrtarisht koha kur do të mbahet seanca e Kuvendit për votimin e demarkacionit me Malin e Zi, raporton Gazeta Metro.
Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë marrë pjesë as në takimin që zhvilluan përfaqësuesit e të gjitha partive politike në Zyrën e BE’së në Prishtinë, e ku u arrit konsensusi që – përveç VV’së – të gjitha partitë tjera të votojnë pro demarkacionit, pasi të dy presidentët nënshkruan një aneks-marrëveshje për këtë çështje.
Madje, Lista Serbe është duke e rrezikuar edhe tërë procesin e ratifikimit të demarkacionit për në seancën që pritet të mbahet të dielën. Kjo pasi ata nuk kanë shprehur gatishmëri të qartë për ta votuar këtë marrëveshje.
Nëse Lista Serbe nuk voton, ratifikimi mund të dështojë, pasi me Vetëvendosjen kundër, nuk mund të arrihen 80 votat e duhura për ta ratifikuar. /gazetametro.net