Loading…

Limajt i lexohet aktakuza, e quan shpifje

  • 13/01/2017 | 17:35

Limajt i lexohet aktakuza, e quan shpifje

Është mbajtur shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku Fatmir Limaj është paraqitur në cilësinë e të akuzuarit për krime lufte.


Prokurorja Drita Hajdari, ka lexuar aktakuzën kundër Limajt me anë të së cilës akuzohet se ka kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

Limaj akuzohet për krime lufte që lidhen me vrasjen e dy civilëve të ndodhur më 2 tetor të vitit 1998 në Komunën e Malishevës. Në aktakuzë mes tjerash thuhet se Limaj gjatë luftës në Kosovë si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si komandant ushtarak i Brigadës 121 ka shkelur rëndë nenin 3 që është i përbashkët për 4 konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 në atë mënyrë që nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave për ta parandaluar apo ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishit nga fshati Banjë.

Sipas aktakuzës të lexuar nga prokurorja Hajdari, Limaj nuk u angazhua as për zbardhjen e këtyre dy vrasjeve.

“Në atë mënyrë që nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij, për të parandaluar apo për të ndaluar vrasjen e Ramiz Hoxhës, nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, të cilët me arsyetim se janë bashkëpunëtorë të okupatorit, me datën 2 tetor 1998 janë marrë në fshatin Bellanicë, komuna e Malishevës, i cili fshat ishte në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 121. Dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari, në atë mënyrë që 4 pjesëtarë të UÇK-së, të maskuar dhe të armatosur deri tani të paidentifikuar, rreth orës 13:00 kanë ardhur në fshatin Bellanicë me veturën Golf (krem), pa targa, kanë hyr në shitoren Meti, ku ishte tani i ndjeri Selman Binishi. E kanë goditur me grusht në kokë, e kanë nxjerr nga shitorja dhe e kanë futur në bagazhin e veturës. Pastaj, kanë shkuar para xhamisë së fshatit dhe kanë kërkuar nga fshatarët, të cilët dolën nga xhamia, pas faljes së namazit që t’ua dorëzojnë imamin e xhamisë, Imer Hoxha. E duke menduar që vërtet do të shkojnë tek shtëpia e tij, në veturë kanë hyrë edhe Hajriz Hoxha. Personat e maskuar janë larguar në drejtim të daljes së fshatit, pasi që ndërkohë të cilët i treguan se personat e maskuar, i kanë detyruar që të zbresin nga vetura. Ata i takuan të pandehurit Fatmir Limaj dhe Skënder Hoti, që të dy të veshur me uniforma të UÇK-së. Të cilët ishin ndalur me veturë buzë rrugës”, tha Hajdari.

I akuzuari Fatmir Limaj tha se nuk ndihet fajtor për këtë akuzë ndërsa sipas tij kjo aktakuzë është tërësisht e shpifur, e motivuar, e stimuluar për qëllime, të cilat gjatë gjykimit do të dëshmohen.

Kryetari i Nismës shpreson se do të zbardhet mirë motivi i krejt kësaj maskarade që është bërë në këtë prokurori.

“Natyrisht, që nuk ka ndonjë arsye. Kjo aktakuzë tërësisht është e shpifur, e motivuar, e stimuluar… Shpresoj që të zbardhet mirë motivi i krejt kësaj maskarade që është bërë”, tha Limaj.

Nga ana tjetër avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj, kontestoi përgjegjësinë komanduese të Limajt në kohën kur kanë ndodhur këto vrasje në Malishevë.

“Aktakuza kundër Limajt nuk është e mbështetur në prova. Z. Limaj akuzohet për përgjegjësi komanduese, mirëpo në aktakuzë nuk janë dhënë arsye lidhur me asnjërën prej atyre karakteristikave, që e karakterizojnë përgjegjësinë komanduese siç është: kontrolli efektiv mbi një territor të caktuar, kontrolli efektiv mbi varësit e vet. Fakti që z. Limaj, nuk e ka ditë atë. Nuk ka qenë në përgjegjësi në asnjë mënyrë që z. Limaj të ndërmarrë masa për zbulimin eventual të kryesit, sepse kjo ka qenë përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm. Ka qenë një komunikatë që Shtabi i Përgjithshëm, e ka marr përgjegjësinë për vrasjen e atyre personave. Tani komunikata a është e vërtetë apo jo, është çështje e Prokurorisë. Sidoqoftë, vet fakti se ajo komunikatë ka dal në media, tregon se në atë kohë ka qenë kompetencë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Juridike apo Gjykatës Ushtarake, që të ndërmarrin masa për hetimin, zbulimin dhe gjykimin e personave të dyshuar… Unë besoj që aktakuzë do të hedhet poshtë, z.Limaj do të lirohet nga aktakuza sepse nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për këto vrasje të pretenduara”, tha avokati Rrecaj.

Aktakuza ndaj Fatmir Limajt është ngritur në tetor të vitit që shkoi nga Prokuroria Speciale. Përndryshe aktakuza ndaj Limajt për krime lufte u ngrit nga Prokuroria Speciale në tetor të 2016.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë