Në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, që po i kushtohet arrestimit të Ramush Haradinajt, ka mbajtur fjalë edhe lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj.
I ashpër e pak më kritik ndaj institucioneve të vendit u tregua Limaj, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka bërë asgjë në lidhje me arrestimin e Haradinajt, një arrestim që sipas Limajt nuk do duhej të ndodhte.
Ai, thotë se Serbia po atakon shtetin e Kosovës e jo Ramush Haradinajn si individë.
“Sepse Haradinaj personifikon shtetësinë e Kosovës. Vepra dhe jeta e tij personifikon themelet e këtij shteti që ne i gëzojmë. Nuk është atak në personin fizik ndaj Haradinajt, sulmi dhe gjuetia serbe. Kjo do të ishte e keqja më e vogël për të. Ataku është ndaj shtetësisë së Kosovës. Ndaj një shteti”, tha Limaj.
Duke kërkuar një trajtim tjetër të këtij rasti, Limaj, kërkoi të dijë nga ministrat përgjegjës fakte dhe punën e tyre që kanë bërë për pesë vjet, prej se Kosova nisi bisedimet me Serbinë.
Për Limajn, ministrat sot në Kuvend folën vetëm llafe të kafeve, por jo edhe deklarata se çfarë ka bërë shteti i Kosovës që pesë vite për t’i parandaluar këto arrestime.
“Dëgjuam angazhimin e ministrave dhe të gjithë e lidhin me çështjen individuale të tij. Por nuk dëgjuam asnjë fjalë me na tregu se çfarë kanë bërë që pesë vjet me ardhë deri tek kjo. Jo nga dita që është arrestuar Haradinaj, por çka kanë bërë që pesë vjet. Deri kur ne do të kemi një politikë që reagon, apo shpreh hidhërimin. Por çështjet po fashiten si kashta në flakë. Do të doja që sot ministri të folte për të gjitha takimet bilaterale me shtetet që na kanë njohur dhe kjo çështje të përfundoj e mos të na ndodhin më. Sot dëgjuam llafe të kafeve”, tha Limaj gjatë fjalimit të tij në seancë.
Ai e përmbylli fjalimin e tij duke thënë se Haradinaj do të kthehet në Kosovë falë sakrificës së tij dhe luftës së tij të pastër dhe shfajësimit të tij nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës./gazetametro.net