Ngjarjet e zhvilluar së fundmi me ngritjen e një muri në veriun e Mitrovicës, po e frikësojnë drejtuesin e NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj. Shqetësimet e tij janë tek udhëheqja e shtetit të Kosovës, për të cilët Limaj thotë se nuk janë duke punuar asgjë, dhe po dalin humbës në secilin rund të bisedimeve me Serbinë.
Madje Limaj thotë se frika, se po vjen deri tek ndarja e Kosovës është reale.
“Duhet të kemi frikë reale, të formalizimit të ndarjes së pjesës veriore të vendit tonë. Ne nuk kontrollojmë një pjesë të territorit tonë dhe nuk e kemi kontrolluar as pas luftës. Mirëpo dallimi tash është që pas shpalljes pavarësisë kemi hequr dorë prej asaj pjese, tash me dëshirë. Por në këtë gjendje na kanë pru njerëzit e papërgjegjshme”, tha Limaj.
Sipas tij Kosova po merr goditje të vazhdueshme nga Serbia, dhe krejt kjo si pasojë e kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi, apo thënë më mirë koalicionit PDK – LDK.
“Këta na kanë krijuar në situata të palakmueshme. Këta persona që na udhëheqin janë të gatshëm me e rreziku vendin e tyre vetëm për karrige”, tha Limaj në një debat në Klan Kosova.
Kreu i NISMA-s për Kosovën ka mëdyshje edhe tek zbatimi i rezolutës që ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës për rrëzimin e murit.
Thotë se gjendja e sigurisë është jo stabile e kësaj po i ndihmon Serbia nga brenda.
“Ajo po na e bënë brenda, në parlamentin e Kosovës, në veri, me murin e me gjithçka tjetër”, tha tutje Limaj./gazetametro.net