Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti në një konferencë për media ka bërë të ditur se dërgimi në Qeveri i nismës për zhbërjen e Gjykatës Speciale, u bë pa prezencën e LDK-së. Ndërsa thonë, se tashmë kanë bërë një kërkesë për debat parlamentar për të diskutuar këtë çështje.
Sipas Hotit, një vendim i tillë u bë me ndihmën e Listës Serbe, ndërsa ka shtuar se LDK mbetet me qëndrimin e njëjtë, se shfuqizimi i Dhomave të Specializuara përkon vetëm në interesin e armiqve të Kosovës të cilët duan ta rikthejnë rezolutën 1244.
”Ligji për dhomat e specializuara është futur në procedura për të marr opinionin e Qeverisë pa prezencën e LDK-së”, tha ai.
”Kjo është e pakuptueshme që pas gjithë këtyre përpjekjeve për të vedijësuar vendimmarrësit, shkon tutje kjo gjë. Nuk ka shpjegim tjetër, vecse është në interesin e armiqve të Kosovës që të izolojnë Kosovën e të rikthejnë rezolutën 1244”, përfundoi ai.
Ndërkaq, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se parlamenti evropian nuk ka arritur të miratojë deklaratën në tërësi sa i përket mbështetjes së Gjykatës Speciale, e krejt kjo ka ndodhur për shkak të qasjes jo të duhur të deputetëve të koalicionit qeverisës.
LDK, sipas deputetes, mban qëndrimin e njejtë për Specialen dhe nuk ka nevojë që për këtë gjë të dakordoket me Listën Serbe.
“Ishte hera e parë që shkaku i atij kundërshtimi dështuan konkluzat me Parlamentin Evropian. Ky është një hap shumë i keq në raportet e tona me Parlamentin Evropian dhe po na vije keq që Qeveria po e merr kaq lehtë këtë dështim. LDK edhe më tutje do të kundërshtojë veprimet e tilla. Po ashtu kemi bërë një kërkesë për debat parlamentar për të diskutuar këtë çështje”, ka përfunduar ajo.