Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me anë të një reagimi ka thënë se dënon sulmet e sotshme në veri dhe ka kërkuar që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një komunikate për media, LDK ka thënë se po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri të vendit, sulmet ndaj institucioneve dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës.
“LDK-ja dënon sulmet e sotme dhe kërkon që, të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe sa më parë të vihen para institucioneve të drejtësisë. LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë. LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri”, thuhet në reagimin e LDK’së.
Policia e Kosovës kanë treguar se sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
Siç thuhet në komunikatën e PK-së, në disa zona në Zubin Potok dhe në Veri të Mitrovicës janë regjistruar disa incidente, e që sipas policisë dyshohet të jenë shkrepje armësh dhe shpërthime. /gazetametro.net