Loading…

LDK nuk e njeh Thaçin si President të vendit

  • 10/05/2017 | 20:51

LDK nuk e njeh Thaçin si President të vendit

Pas votimit të mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës. Ajo përmes një komunikatë dërguar mediave ka thënë se marrëveshja e koalicionit mes saj dhe Partisë Demokratike të Kosovës “bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj”.


Kësisoj, nga sot, LDK nuk e njeh Hashim Thaçin President, zgjedhja e të cilit si i pari i vendit ishte rezultat i një marrëveshjeje mes PDK’së e LDK’së.

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka ftuar qytetarët e vendit të jenë të qetë dhe të matur në situatën e krijuar pas vendimit të sotëm për rrëzimin e Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, që, sipas saj, është “udhëhequr me hipokrizi dhe pabesi nga PDK-ja e Kadri Veselit”.

“Veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij në PDK, të inkriminuar dhe me probleme të thella me ligjin dhe të cilët sot u bashkuan për t’i dhënë fund Qeverisë që e çliroi shtetin nga kapja e gjithanshme, që i këputi fijet e krimit dhe të korrupsionit. Me këtë veprim, Marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj”, ka thënë LDK.

LDK ka thënë se është e përkushtuar për të luftuar deri në fund krimin dhe korrupsionin në vend, “si parti e përgjegjshme, si partia kryesore në vend dhe si partia që e dëshmoi se si qeveriset me duar të pastra dhe se si punohet në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës nga “koalicioni i të inkriminuarve” rrezikon përfundimisht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proceset e tjera integruese euroatlantike, krijimin e Ushtrisë së Kosovës, anëtarësimin në Organizatat Ndërkombëtare, për të cilat, siç po shihet në vazhdimësi, nuk është aspak i interesuar lidershipi i PDK-së dhe individë të caktuar në partitë opozitare”, thuhet më tej në komunikatën e LDK’së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë përkrahjen e tyre për LDK-në, në mënyrë që në qeverisjen e ardhme, të udhëhequr nga LDK-ja, të përmbyllet përfundimisht çkapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni. LDK-ja, me mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët dinë t’i vlerësojnë punët e mira të LDK-së dhe përkushtimin e saj, bashkë me partnerët e saj do të jenë shumica e re në Kuvendin e Kosovës dhe do të vijojë të udhëheqë vendin në proceset jetike, ndërsa PDK-ja dhe aleatët e saj do të shikojnë nga atje, në “Fillimin e tyre të ri””, përfundon komunikata./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë