Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, ka miratur propozimin e tij për bashkim në një listë me Vjosa Osmanin, shkruan Gazeta Metro.
Abdixhiku tha se me Osmanin kanë vendosur të bashkohen për t’i dhënë, siç tha ai, vendit një shembull tjetër.
“Anëtarët tanë me votë i dhanë mbështetje propozimit tim e të kryesisë për bashkim. Ka kohë që kam folur për këtë bashkim dhe kemi punuar fort për këtë bashkim, sepse në politikë, sikurse në jetë, ka momente kur populli nuk kërkon shumë, kërkon vetëm një arsye për të besuar përsëri, një shenjë që njerëzit që e duan këtë vend dinë ta kapërcejnë veten, të bëhen bashkë dhe ta vendosin Kosovën mbi çdo gjë tjetër. Vjosa dhe unë kemi vendosur të bëjmë pikërisht këtë: të bashkohemi, t’i japim vendit një shembull tjetër, një kapitull tjetër, një kapitull me një Kosovë që ecën më përpara kur njerëzit afrohen me njëri-tjetrin, kur flasin, bashkëpunojnë, dëgjojnë, kur vendosin interesin e Republikës mbi egot, mbi ndarjet dhe politikën e përditshme që i ka lodhur qytetarët tanë për shumë gjatë”, tha Abdixhiku.
Ai madje ftoi qytetarët për në tubimin e parë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet të dielën, për të prezantuar këtë bashkim, që, siç e quajti ai, të madh.