Ish-deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hatim Baxhaku është një nga emrat më të përfolur që të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Prizrenit.
Baxhaku në një prononcim për lajmi.net ka thënë se e ka mbështetjen e shumicës absolute të nëndegëve të LDK-së në Prizren që të jetë kandidat për kryetar.
“Po e kam përkrahjen e mbi 80 apo 90% të nëndegëve të LDK-së. Ne kemi kërkuar pëlqim nga nëndegët dhe shumica prej tyre e kanë sjellur përkrahjen për mua”, ka thënë Baxhaku.
Ai tutje ka deklaruar se në Prizren ndryshimi është i domosdoshshëm, dhe ky ndryshim sipas tij vije me LDK-në.
“Ndryshimi lëre që i nevojitet Prizrenit, por është më se i domosdoshëm dhe i cili duhet të ndodhë. Ndryshimi vjen me LDK-në dhe me mua, ose kandidatin e LDK-së për kryetar”, ka thënë Hatim Baxhaku.
Si emër i munsdhëm i LDK-së për kryetar të Prizrenit është përmendur edhe Driton Selmanaj, por një gjë e tillë u mohua nga kryetari i degës, Haxhi Avdyli.
Nga partitë e tjera nuk ka ndonjë emër konkretë se kush mund të kandidojë për kryetarë në këtë komunë, përveç Zafir Berishës nga Nisma për Kosovën që është kandidat potencial.