Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, kështu të paktën kanë njoftuar deputetët pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Nga LDK e ka konfirmuar deputeti i saj, Armend Zemaj, i cili tha se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit pasi që qëndrimi i tyre tanimë është i qartë dhe dihet, shkruan gazetametro.net.
“Qëndrimi ynë për seancën e sotme tashmë dihet, nuk do të marrim pjesë. Arsyet i dini, gjendja e njëjtë, institucionet e Kosovës janë duke treguar një jo qëndrueshmëri”, tha ai.
Por Zemaj tha se LDK do të marrë pjesë në seancën e se enjtes, ku do të diskutohet për tri projektligjet të cilat rrisin kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se as kolegët nga partia e saj nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme, kurse të enjten ku do të flitet për Ushtrinë e Kosovës ata do të jenë të pranishëm në Kuvend, shkruan gazetametro.net.
“Ne nuk do të jemi sot në seancë, por do të jemi të enjten për pikat që kanë të bëjnë me Ushtrinë e Kosovës”, tha ajo.
Haxhiu thotë se gjatë kësaj mbledhje është vënë në dyshim edhe buxheti i transformimit të FSK-së në ushtri./gazetametro.net